Ambasadorja amerikane Yuri Kim e ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 ia ka lënë në dorë vigjilencës së qytetarëve garancinë që në zgjedhjet e 25 prillit nuk do të ketë blerje votash e ndërhyrje nga grupet kriminale.

Drejtuesi i emisionit, Sokol Balla lexoi në studio pyetjen e dërguar nga drejtori i informacionit dhe programacionit të ‘’News24’’, Robert Rakipllari i cili kërkonte të dinte ‘’ Pas një klime të gjatë dhe të rënduar politike, ku opozita dogji mandatet e saj dhe ju mbështetët një proces politik për reformën zgjedhore dhe për rregulla lojë të tilla që të siguronin zgjedhje të lira dhe të ndershme, çfarë garancish mund të jepni se në 25 Prill do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa blerje votash apo ndërhyrje nga grupe kriminale? ‘’.

Sipas znj.Kim, SHBA dhe partnerët do të mbështesin fuqimisht me ç’të munden Shqipërinë që të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme më 25 prill.

Ajo kërkon nga qytetarët që të jenë vigjilentë dhe t’u kërkojnë llogari udhëheqësve të tyre.

 

PJESË NGA DEBATI NË ‘’REAL STORY’’

Sokol Balla: Këto janë minutat e fundit të intervistës me Yuri Kim, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Znj. Kim, kam tre pyetje nga tre kolegë të mi, të cilët do donin t’ju bënin më shumë, por unë kam zgjedhur vetëm tre prej tyre, Lubonja, Rakipllari dhe Skënder Minxhozi.

Lubonja pyet: Si e shpjegoni faktin se, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri janë shumë protagonist në jetën politike dhe shfaqen shumë shpesh në TV?

Ambasadorja Kim: Do që të mos dal më në TV?

Sokol Balla: Pyetjen e bëri Lubonja. Përgjigjen duhet t’ia ktheni Lubonjës.

Ambasadorja Kim: Po, por nuk di çfarë përgjigje t’ju jap.

Sokol Balla: Ndjesë, ai pyet përse janë Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara kaq të rëndësishëm në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ajo që mund të them është se ju më kërkuat të vij në emisionin tuaj, nuk ju detyrova unë të më ftonit.

Sokol Balla: Pyetja vjen nga Lubonja dhe ai më kritikon edhe mua por unë ia pranoj kritikat sepse e di që burojnë nga qëllime të mira.

Robert Rakipllari pyet, pas një klime të gjatë dhe të rënduar politike, ku opozita dogji mandatet e saj dhe ju mbështetët një proces politik për reformën zgjedhore dhe për rregulla lojë të tilla që të siguronin zgjedhje të lira dhe të ndershme, çfarë garancish mund të jepni se në 25 Prill do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa blerje votash apo ndërhyrje nga grupe kriminale?

Ambasadorja Kim: Mendoj se garancia është vigjilenca e qytetarëve shqiptarë. Ju duhet t’u kërkoni llogaridhënie udhëheqësve tuaj. Dhe mund të them se Shtetet e Bashkuara dhe miq të tjerë të Shqipërisë mbështesin fuqimisht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj do të bëjmë çfarë të mundemi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb