Çmimi i madh i letrave shqipe “Kadare” i cili jepet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, tashmë ka hyrë në fazën e seleksionimit të veprave që do të vijojnë garën nga ana e jurisë, ku nga prurjet janë selektuar 32 autorë për të vazhduar garën drejt fazës së dytë të selektimit, ku do shkojnë vetëm 10 autorë drejt fazës finale.

Çmimi i madh i letrave shqipe “Kadare” i cili jepet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës tashmë ka hyrë në fazën e seleksionimit të veprave që do të vijojnë garën nga ana e jurisë. Sipas Alda Bardhylit, koordinatore e Konkursit “Kadare” tashmë janë përzgjedhur 32 veprat që do të garojnë për çmimin e madh. “Ka pasur një interes në rritje të autorëve që duan t’ia besojnë dorëshkrimet e tyre këtij konkursi. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për institucionalizimin që ky konkurs ka pasur në vetëm katër edicione si një konkurs ku çertifikohen vlerat e vërteta në terrenin letrar në vend, duke qenë i besueshëm për autorët, por dhe për faktin se ka një rritje të autorëve që duan të shkruajnë letërsi, duke pasur parasysh historinë tonë letrare pas viteve 90-të” , thotë Bardhyli.

Sipas saj, juria do të mblidhet sot (e shtunë) për të vendosur dhe 10 finalistët që do të garojnë për çmimin e madh prej 10 mijë eurosh që do të ndahet në ditët letrare të Razmës që do të mbahen nga data 25-27 maj.

“Juria ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u njohur me veprat. Përgjatë këtij muaji ajo ka pasur disa takime për të konkluduar mbi dorëshkrimet e paraqitura në konkurs, duke ndarë me njëri tjetrin leximet dhe gjykimet mbi pjesëmarrësit. Takimi i sotëm do të jetë i rëndësishëm për fazën në të cilën hyn ky konkurs, pasi nga 32 autorët që janë përzgjedhur në fazën e parë, tashmë vetëm 10 prej tyre do të kenë mundësi të garojnë për çmimin e madh”, thotë Bardhyli.

Në katër edicionet e tij, çmimi Kadare ka pasur në përbërje të jurisë emra të njohur të letrave shqipe, dhe gjykimi i tyre ndër vite ka rritur besueshmërinë ndaj këtij çmimi. Juria kryesohet nga Kim Mehmeti, një emër i njohur i letrave shqipe në Maqedoni, ndërsa në përbërje të saj është Ledia Dushi, Genciana Abazaj, Eni Vasili dhe Agim Baçi. “Përmes këtij konkursi ne kemi mundësi të njihemi me situatën letrare në vend, ku shohim një rritje gjithnjë e më shumë të numrit të autorëve të rinj që duan ta lidhin jetën e tyre me letërsinë. Por krahas të rinjve këtij konkursi ia kanë besuar dorëshkrimet e tyre dhe emra tashmë të konsoliduar në historinë tonë letrare si Zija Cela, Vera Bekteshi, Virgjil Muçi, Gazmend Krasniqi, Bashkim Hoxha, etj”, thotë Bardhyli.

“Çmim i madh do të jepet gjatë ditëve Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), një aktivitet që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, kritikë të cilët këtë vit do ti bashkohen në një konference shkencore me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”, një temë e zgjedhur me rastin e Vitit të Skënderbeut shpallur nga qeveria shqiptare. Kritika dhe studimet shqipe nuk e kanë shtjelluar ende dimensionin letrar që kjo figurë e historisë sonë ka pasur në librat e shumë shkrimtarëve të huaj, që kanë gjetur tek ai shpesh personazhin më interesant për veprat e tyre”,- thotë Bardhyli.

Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autor shqiptar. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro dhe vepra fituese botohet nga Mapo Edition. Ky është edicioni i katërt i këtij çmimi i cili është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare.
Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku.

Emrat e selektuar nga prurjet për çmimin “Kadare”
Vera Bekteshi- Një rrugë e gjatë pa krye roman
Zija Çela-Djalli komik roman
Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave roman
Loer Kume-Bisha të fshehta e një sy i madh i gjelbër tregime
Saimir Qefalia- Biondina besnike tregime
Gazmend Krasniqi- Triologjia e Shkodrës roman
Kujtim Lapa- Gjithë fajin e ka paraja roman
Sokol Thana- Guvernatori i shtëpisë së vogël roman
Ndue Gaspri- Humbja e trishtë e kufijve të fëmijërisë roman
Resmi Osmani- Pas Trojës roman
Sotir Athanasiu- Tregime parisienë tregime
Ullir Burimi Busti dhe varri i diktatorit roman
Eqrerem M Canaj- Princesha Rugjine roman
Jetmir Dragusha-Ikja roman
Rudina Cupi-Shenjat e pikësimit roman
Arian Kadiu- Vajza e KukLandit roman
Erjon Papagjoni- Limonë dhe kokoshka roman
Dhimitër Druga- Animations roman
Thanas Dino- Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi roman
Alion Çaçi- Tregime të Rinisë tregime
Ada Çapi- HappyLand roman
Sulejman Mato- Qyteti i shirave roman
Bashkim Hoxha- Një ditë si Skënderbeu roman
Arlind Farizi- I fundmi tundim roman
Ardian Thaqi- I mbijetuari i luftës roman
Enida Bogdani- Kronologji emocionesh tregime
Vlash Linadi- Diella novela
Shpëtim Selmani- Libërthi i dashurisë roman
Vasil Premçi- Fermani i përgjakur roman
Vladimir Ndini- Nën hirin e Antigonese roman
Flogerta Krypi -Rrëfime me dhe pa kripë tregime
Enton Bido- Ara e Tares tregime/Mapo

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: