TIRANË

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar mbrëmjen e sotme vendosjen e Najada Çomos, drejtoreshës së Spitalit Infektiv dhe inxhinieres Luljeta Bozo në listën e Tiranës, të parat.

Lubonja tha në “Real Story” në News24 se nëse i merr për kontributin e tyre, sa i përket pandemisë, menaxhimi ka qenë katastrofë. Ndërkohë për inxhinieren Bozo tha se nuk i jep asnjë garanci se do të mbrojë Tiranës apo Shqipërinë nga ndërtimet masakruese.

“Në qoftë se Najadën e merr për menaxhimin e pandemisë për mua menaxhimi i pandemisë është katastrofë. Por fakti që ne jemi popull që jemi mbytur në Adriatik për të kaluar andej dhe i kishim jetët si të ishin bagëti është një nga mungesat tona kulturore që na bën sot të mos ulërijmë për këtë menaxhim i pandemisë ku edhe numri i vdekjeve është më i lartë se sa thonë.
Unë nuk e njoh Najadën e shoh pjesë të një ekipi që ka përgjegjësi për këtë menaxhim pandemie si po ndodh. E identifikoj në tërësi. Zgjedhja e saj për mua varet si e interpreton pandeminë, do ta gjykojnë shqiptarët.
Të më thuash se pandemia është trajtuar mirë, është gjë e rëndë. Këto s’i kemi parë njëherë të ngrenë zërin për gjendjen e spitalit, të mjekësisë sonë, kur njerëzit po kurohen nëpër shtëpi, kanë lënë me miliona.
E dyta, znj. Luljeta u bë figurë e njohur kur ra tërmeti se erdhi dha disa këshilla për tërmetin. Por, për sa i përket politikave që janë bërë, qoftë në Durrës, qoftë ne Tiranë, nuk e kam dëgjuar të thotë një fjalë si intelektuale dhe nuk më jep asnjë lloj garancie se do të mbrojë Tiranën apo Shqipërinë nga ndërtimet masakruese.
Ka ngritur zërin si eksperte e thirrur kur ra tërmeti, por kjo nuk e bën intelektuale. Intelektuale e bën kur e ke këtë ndjeshmëri dhe e ngre zërin, nuk e ka ngritur ndonjëherë zërin, fare. Edi Rama është njeri i spektaklit, i mori si njeri i spektaklit që thonë shqiptarët atë e kam parë se ka dalë në televizor. E përdor dhe kaq. Për mua që e shikoj pak më thellë në këtë angazhim, asnjë kontribut nuk shikoj”, deklaroi Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb