Policia italiane dhe FBI-ja kryen të mërkurën një operacion të përbashkët në shkallë të gjerë që përfshinte më shumë se 200 oficerë policie, pas hetimeve në të cilat u zbuluan lidhje midis Cosa Nostra-s së Sicilisë dhe familjes së krimit Gambino të Nju Jorkut.

Hetimi i koduar “New Connection” fliste për një lidhje të fortë të rivendosur në mes të krimit të organizuar amerikan dhe atij italian. Gjatë operacionit u arrestuan 19 persona.
Operacioni ndërmjet policisë së Italisë dhe FBI-së filloi të mërkurën në mëngjes dhe kishte në shënjestër klanin Inzerillo në kryeqytetin sicilian Palermo dhe familjen e krimit Gambino në Nju Jork.

Të dyshuarit akuzohen për krime përfshirë aktivitete mafioze, shantazhe për të nxjerrë para dhe mashtrime.
Familja Inzerillo ishte dëmtuar mjaft nga bosi i bosave Toto Riina në një luftë mes klaneve mafioze në vitet 1980 dhe ishte detyruar të mërgonte në Shtetet e Bashkuara. Por që nga viti 2000, dhe me vdekjen e Riinës në burg në vitin 2017, familja Inzerillo kishte kërkuar të rimerrte biznesin e saj të vjetër në Sicili, e ndihmuar nga aleatë të fuqishëm në Nju Jork.

Policia bëri përgjime të anëtarëve të familjes Inzerillo duke zbuluar lidhje të forta mes Cosa Nostras në Sicili dhe krimit të organizuar në Nju Jork. Aktivitetet e tyre përfshinin një gamë të gjerë biznesesh, si furnizimet ushqimore me shumicë, lojërat e fatit dhe bastet në internet.

Anëtarët e familjes Inzerillo kishin rindërtuar kështjellën e tyre në zonën e Palermos në Passo di Rignano. Ndër të arrestuarit ishin Francesco dhe Tommaso Inzerillo, përkatësisht vëllai dhe kushëri i Totuccio Inzerillos, një ish-bos i vrarë nga grupi Corleonesi i Riinas në vitet 1980.

Kryebashkiaku i Torretta-s, Salvatore Gambino, u arrestua gjithashtu me akuzën e pjesëmarrjes në veprimtari mafioze. Operacioni përfshinte edhe sekuestrimin e pasurive, me vlerë rreth 3 milionë euro, që u përkisnin të dyshuarve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb