Gjermania ka vendosur të zgjasë kontrollet përgjatë kufijve të saj me Republikën Çeke dhe rajonin austriak të Tirolit, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e mutacioneve të COVID-19, njoftoi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

“Ne kemi shpresën se mund t’i japim fund kontrolleve me Austrinë pak më herët, mbase edhe në mars”, tha ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, për gazetën “Muenchner Merkur”.

Seehofer, i cili pritet të takojë kancelarin austriak Sebastian Kurz të enjten, shtoi se “masat për të frenuar përhapjen e varianteve të koronavirusit të ri në Tirol po vëzhgohen nga afër”.

Që nga shkurti, Gjermania ka shpallur Republikën Çeke, Sllovakinë dhe zona të mëdha të Tirolit si zona me rrezik për shkak të virusit dhe kryesisht ka ndaluar udhëtimin nga ato rajone.

Rastet në vend kanë qenë në një rritje të mprehtë pas lehtësimit nga qeveria të disa masave të bllokimit, duke nxitur shqetësime rreth një vale të tretë të mundshme.

Instituti Robert Koch (RKI) për Kontrollin e Sëmundjes raportoi 13 435 infektime të reja , një rritje e dukshme nga 9 146 raste një javë më parë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb