Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lejuar përdorimin e ”Paxlovid” për trajtimin e Covid-19, i cili tashmë është miratuar me kusht për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian, njoftoi sot organizata.

”Paxlovid’ do të përdoret për pacientët që nuk janë ende të sëmurë rëndë, por rrezikojnë të shtrohen në spital nga Covid-19”, raportoi paneli i ekspertëve të OBSH-së përgjegjës për miratimin e medikamentit në ”British Medical Journal” (BMJ).

Pacientët që rrezikojnë të shtrohen në spital janë personat sëmundje kronike, të moshuar dhe të pavaksinuar.

”Paneli shqyrtoi studimet që përfshinin mbi 3 000 pacientë dhe që zbuluan se rreziku i shtrimit në spital ishte 85% më i ulët tek pacientët që trajtoheshin me ‘Paxlovid’ sesa në grupin që merrte ‘Placebo”, tha OBSH në një deklaratë.

Tabletat, të prodhuara nga gjiganti farmaceutik amerikan ”Pfizer”, përmbajnë përbërësit aktivë ”Nirmatrelvir” dhe ”Ritonavir” dhe janë krijuar për të penguar riprodhimin e viruseve në trup.

Medikamenti u miratua me kusht në BE në fund të janarit, dhe vetëm Gjermania ka porositur tashmë një milion pako.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: