Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, prezantoi sot programin për sigurinë, gjatë seancës për votimin e qeverisë së re.

“Udhërrëfyesi ynë në këtë mandat mbetet lufta e vazhdueshme e p akompromis për sundimin e ligjit, përmes 4 elementëve, që janë mbrojtja e territorit, forcimi i rendit dhe i sigurisë, ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe thellimi i luftës kundër çdo forme të krimit të organizuar dhe fenomeneve të jashtëligjshme”, tha Çuçi.

Sa i përket kontrollit të territorit përmes teknologjisë, Çuçi u shpreh se, “pasi kemi shndërruar Policinë e Shtetit, në një nga institucionet më të besueshëm për shqiptarët, dhe në një partner të denjë për policitë homologe evropiane e më gjerë, do të vijojmë transformimin e saj përmes shtrirjes së dixhitalizimit, nga njëra anë, dhe integritetit të lartë nga ana tjetër. Siç jeni njohur, përmes veprimeve konkrete të nisura tashmë në terren, kontrolli i plotë i territorit, është një aksion që nuk do të ndalet deri në skajin më të largët të vendit. Për goditjen dhe ndëshkimin e ashpër të fenomenit të ndërtimeve pa leje, do të përdoret teknologjia bashkëkohore, përfshirë këtu edhe dronë inteligjentë, për monitorimin e veprimtarisë së kundërligjshme dhe sinjalizimin në kohë. Rol parësor do të marrë Policia e Shtetit, duke qenë forca e vetme përgjegjëse për evidentimin e çdo paligjshmërie në territor”.

Për luftën kundër krimit të organizuar, Çuçi theksoi se, “ndëshkimi pa kompromis i grupeve dhe organizatave kriminale nëpërmjet hetimit të çdo pasurie të krijuar nga krimi. Nën parimin ‘ndiq paranë’, lufta kundër krimit ekonomik do të jetë prioritet kryesor për Ministrinë e Brendshme. Vetëm duke prerë burimet financiare godasim në zemër aktivitetin dhe grupet e strukturuara kriminale. Këto pasuri do të jenë asete për të mirën publike nesër. Në këtë funksion në Policinë e Shtetit do të rriten kapacitetet investiguese, përmes bashkëpunimit me policitë partnere duke ristrukturuar Policinë Kriminale, me asistencën e drejtpërdrejtë të Policisë Federale gjermane. Rritja e hetimeve proaktive do të përbëjë një drejtim të rëndësishëm të punës së policisë. Aksesi dhe mundësia për të hetuar e Policisë së Shtetit do të rritet, në disa baza të dhënash, shtetërore dhe bankare, për të gjurmuar trasferta të dyshimta. Bashkëpunimi ndërinstitucional i policisë do të përsoset edhe më tej me Prokurorinë, SPAK, SHISH, BKH-në, Njësinë e Inteligjencës Financiare, si dhe do të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar me strukturat homologe të rajonit nëpërmjet kanaleve të INTERPOL, EUROPOL dhe oficerëve të kontaktit. Në këtë mandat do të ulim përfundimisht kriminalitetin nën mesataren e vendeve të BE-së. Ky është një objektiv plotësisht i mundur”.

Sa i përket sigurisë publike dhe qasjes së policisë si shërbim, Çuçi tha se, “do të garantohet prona e qytetarëve, do të ketë kontroll të plotë dhe do të ndëshkohet me forcën e ligjit çdo sjellje e veprimtari e paligjshme, dhe do të garantohet siguri maksimale në shkolla e institucione publike e private. Për ta përmbushur këtë detyrim, në emër të fëmijëve e të së ardhmes sonë, Policia e Shtetit do të transformojë rrënjësisht mënyrën e veprimit dhe të marrëdhënieve me komunitetin, duke u shndërruar në një strukturë të mirëfilltë në shërbim të publikut, me qasje si shërbim, jo si thjesht forcë represive. Perfeksionimi i Komisariatit Digjital, konsolidimi i Këshillave të Sigurisë Publike në Njësitë vendore do jenë një kontribuues në këtë proces transformues”.

Sa i përket sigurisë rrugore Çuçi u shpreh se, “do të fillojmë menjëherë punën për ndryshimet në Kod dhe rritjen e investimeve në sistemet e monitorimit të trafikut dhe digjitalizimitë të proceseve që lidhen me përdoruesit e automjeteve apo sjelljen e tyre. Përdorimi i teknologjisë së lartë edhe këtu do të luajë një rol të rëndësishëm, për të patur gjithnjë e më pak aksidente nëpër rrugët tona dhe shkelës të ligjit. Në këtë mandat do të synojmë vendosjen e kamerave në çdo kryqëzim dhe kontrollin me radar në çdo segment të rëndësishëm rrugor të Shqipërisë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb