Trajneri i Laçit, Armando Cungu analizoi humbjen 1-2 ndaj Egnatias.

“Ishte një ndeshje me dy tabllo. Një pjesë e parë shumë e mirë nga ana e jonë, jo vetëm prej golit. Kishim mundësi të shënonim të dytin. Përsa i përket pjesës së dytë isha i sigurt që kundërshtari do ndryshonte krejtësisht dhe prisja reagim të ashpër. Komplimente ekipit të Egnatias për pjesën e dytë. Ata kanë një kontigjent të bollshëm dhe është ekipi më i mirë në Shqipëri. Nuk është e lehtë të përballësh me Egnatian. Ai tensioni i djemve për të mbajtur rezultatin, duke u dhuruar territor kundërshtarit. Manovrat i bëmë mirë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën jo.

“Nuk i kam kërkuar ekipit të kthehet mbrapa, në asnjë ekip s’kam luajtur ashtu. Se kam një mentalitet të tillë. Në pushim u thashë lojtarëve që duhet të kemi topin në zotërim për të mbajtur kundërshtarin në tension dhe për të shënuar golin e dytë. Por këto janë gjëra që ndodhin, është instikt i futbollistit që zbret poshtë për të mbrojtur rezultatin. Sot e bënë diferencën kualitetet pasi Egnatia ka lluks. Nuk mendoj se ishte ndonjë ndryshim loje nga ana jonë, më shumë se mundësia e kundërshtarit për të ruajtur atë rezultat”, tha më tej trajneri i Laçit.

Sa ndikoi zëvendësimi i detyrur i Junior?

“Na prishi ekuilbrat dhe një mbrojtës i djathtë luajti në qendër. Zbritëm edhe Mjakin në rolin e mbrojtësit të djathtë. Sidoqoftë, pjesa e dytë nuk ishte ajo që ne kërkuam të zhvillonim. Pavarësisht kësaj, humbja të dhemb. Por mua më lind e drejta morale për të falenderuar djemtë për shpirtin e garës dhe po luajnë një futboll bio dhe jo fake futboll. Do vazhdojmë ta bëjmë diçka të tillë deri në fund të sezonit”.

Mendoni se Egnatia është një nga finalistët e këtij kampionati?

“Patjetër që është finaliste. Sa herë që dëshiron të fitojë Egnatia e bën, kur përton lë pikë. Sot nuk gaboi siç gaboi në ndeshje të tjera. Egnatia është ekipi më i mirë i kampionatit shqiptar. I ka të gjitha mundësitë për kampion. Por edhe Partizani dhe Vllaznia kanë kontigjent, dhe 2 ndeshje janë ato që do të vendosin fituesin e kampionatit” – Tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb