Nuk ka prind që të rrisë një fëmijë me ëndrrën se një ditë ai do të bëhet pjesë e botës së drogës, e dhunës apo e krimit. Megjithatë, çdo shoqëri prodhon histori që fillojnë pikërisht kështu, jo me një vendim të madh, por me shumë heshtje të vogla.

Ndonjëherë arti arrin të shpjegojë atë që statistikat nuk munden. Një këngë mund të tregojë më shumë për mekanizmat e kriminalitetit rinor sesa dhjetëra raporte. ‘Dance with the Devil’ nuk është thjesht një këngë. Është një studim narrativ mbi mënyrën se si një adoleshent, në kërkim të identitetit, përfundon duke humbur çdo kufi moral. Edhe pse historia zhvillohet larg Shqipërisë, mekanizmat psikologjikë dhe socialë që ajo përshkruan janë universale. Dhe pikërisht kjo e bën atë shqetësuese për ne.

Në vitet kur drejtoja institucionin penitenciar, mësova një të vërtetë që nuk e gjen në asnjë manual juridik- askush nuk hyn në burg brenda një dite. Çdo dosje kishte një histori shumë më të vjetër se vepra penale. Dhe pothuajse gjithmonë ajo histori fillonte në adoleshencë.

Nuk kam takuar asnjë person që të më ketë thënë se ëndrra e tij si fëmijë ishte të bëhej pjesë e botës së krimit. Kam takuar, përkundrazi, histori të mbushura me mungesë dashurie, dhunë, varfëri, braktisje, varësi, shoqëri të gabuara dhe vendime të këqija të marra në moshën kur karakteri ende nuk ishte formuar. Ky është dallimi që duhet të kuptojmë si shoqëri- krimi nuk lind në burg. Ai lind shumë më herët, në hapësirat ku ne nuk kemi ditur ose nuk kemi dashur të ndërhyjmë.

Disa histori nuk të tronditin vetëm për atë që tregojnë. Të tronditin sepse të detyrojnë të reflektosh mbi atë që mund të ndodhë kur shoqëria dështon të mbrojë më të rinjtë e saj.

Kjo ishte ndjesia që më la “Dance with the Devil”, rrëfimi i njohur i Immortal Technique përmes këngës për një adoleshent që, në kërkim të pranimit, respektit dhe identitetit, hyn gradualisht në një spirale zgjedhjesh që e çojnë drejt tragjedisë. Historia është ekstreme. Por mekanizmi që e prodhon atë nuk është. Sepse çdo tragjedi fillon shumë kohë përpara se të bëhet lajm.

Sepse rruga drejt humnerës rrallëherë fillon me një vendim të madh. Ajo fillon me boshllëqe të vogla që askush nuk i sheh. Dhe pikërisht këto boshllëqe po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe në shoqërinë shqiptare.

Edhe në Shqipëri po shohim shenja që nuk duhen nënvlerësuar- uljen e moshës së përdorimit të substancave narkotike, rritjen e fenomenit të bullizmit, ekspozimin e të miturve ndaj përmbajtjeve të dhunshme në rrjetet sociale, si edhe përfshirjen e tyre në forma të ndryshme të kriminalitetit. Këto nuk janë fenomene të izoluara. Janë sinjale paralajmëruese.

Në debatin publik shqiptar flitet shpesh për drogën, kriminalitetin rinor, dhunën apo fenomenin e grupeve kriminale. Por shumë rrallë flasim për rrënjët e tyre. Asnjë fëmijë nuk lind me ëndrrën për t’u bërë trafikant, përdorues droge apo autor i një vepre penale. Kriminaliteti nuk është një zgjedhje spontane.

Është fundi i një procesi të gjatë social, psikologjik dhe kulturor. Literatura bashkëkohore mbi kriminalitetin rinor flet për faktorë rreziku dhe faktorë mbrojtës. Dhuna në familje, mungesa e komunikimit, braktisja e shkollës, bullizmi, izolimi social, përdorimi i substancave narkotike dhe ekspozimi ndaj modeleve kriminale rrisin ndjeshëm probabilitetin që një adoleshent të devijojë.

Në të kundërt, një familje funksionale, një shkollë gjithëpërfshirëse, një komunitet aktiv, sporti, arti dhe mentorët pozitivë ndërtojnë reziliencën që i ndihmon të rinjtë të përballojnë presionet e jetës.

Kjo nuk është teori. Është realitet. Kriza e parë është kriza e familjes. Familja shqiptare po përjeton një transformim të madh. Prindërit punojnë më shumë se kurrë, por shpesh komunikojnë më pak se kurrë me fëmijët e tyre. Në shumë raste autoriteti është zëvendësuar ose nga kontrolli i tepruar, ose nga mungesa totale e kufijve. Adoleshentët nuk kanë nevojë vetëm për dashuri. Kanë nevojë edhe për orientim, për kufij, kanë nevojë të dëgjohen. Familja mbetet institucioni i parë i sigurisë kombëtare. Kur ajo dobësohet, dobësohet edhe mbrojtja e fëmijëve.

Rrjetet sociale po edukojnë një brez të tërë. Për herë të parë në histori, një pjesë e madhe e edukimit nuk ndodh në familje apo në shkollë. Ndodh në ekran. Algoritmet u tregojnë të rinjve se çfarë duhet të admirojnë, si duhet të jetojnë dhe çfarë duhet të konsiderojnë sukses.

Fatkeqësisht, shumë prej modeleve që qarkullojnë sot glorifikojnë luksin pa mund, paranë e shpejtë, arrogancën dhe dhunën. Kur shoqëria admiron rezultatin, por nuk pyet për rrugën që është ndjekur për ta arritur atë, ajo dërgon një mesazh të rrezikshëm për brezin e ri. Shëndeti mendor është edhe çështje sigurie. Flasim shumë për drogën,flasim pak për vetminë. Flasim shumë për kriminalitetin,flasim pak për ankthin, depresionin dhe traumën.

Psikologjia moderne na mëson se pas shumë sjelljeve problematike fshihen trauma të patrajtuara. Një trauma-informed approach (qasja e bazuar në trauma) nuk pyet vetëm “Çfarë bëre?”, por edhe “Çfarë të ka ndodhur?”.

Kjo nuk e heq përgjegjësinë personale. Por ndihmon institucionet të kuptojnë rrënjët e problemit dhe të ndërtojnë politika më efektive. Për shumë adoleshentë, droga nuk është fillimi i historisë.

Është përpjekja për t’i ikur një dhimbjeje që askush nuk e ka dëgjuar. Grupet kriminale nuk kërkojnë më vetëm të rritur. Organizatat kriminale kanë kuptuar se të rinjtë janë më të manipulueshëm, më të ndikueshëm dhe më të etur për t’u ndjerë pjesë e diçkaje.

Premtimi është gjithmonë i njëjtë: para, status dhe përkatësi. Çmimi është gjithmonë shumë më i lartë: liria, shëndeti, dinjiteti dhe, jo rrallë, vetë jeta.

Shoqëritë nuk bien kur shtohen krimet. Shoqëritë fillojnë të bien kur humbasin aftësinë për të prodhuar modele që të rinjtë duan t’i ndjekin.

Kjo nuk është vetëm një bindje personale. Është filozofia mbi të cilën mbështeten edhe dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare, si Konventa për të Drejtat e Fëmijës, Riyadh Guidelines dhe Beijing Rules, të cilat e vendosin parandalimin shumë përpara ndëshkimit.

Edhe praktikat më të avancuara europiane mbështeten mbi konceptet e “early intervention”, ‘community policing’ dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Masat ndëshkuese mbeten një element i domosdoshëm i shtetit të së drejtës. Megjithatë, përvoja ndërkombëtare tregon se rezultatet më të qëndrueshme arrihen kur ato shoqërohen me politika të forta parandaluese

Çfarë duhet të bëjmë?

Shqipëria ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit reforma të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, drejtësisë për të miturit dhe sigurisë publike. Megjithatë, dinamika e re e rreziqeve që lidhen me teknologjinë, shëndetin mendor dhe format e reja të kriminalitetit kërkon një përditësim të vazhdueshëm të politikave publike dhe një koordinim edhe më të fortë ndërinstitucional.

Parandalimi duhet të fillojë në familje. Duhet të vazhdojë në shkollë. Duhet të mbështetet nga komuniteti. Duhet të koordinohet nga institucionet dhe të garantohet nga ligji. Kjo kërkon pesë hapa konkrete.

Së pari, duhet të ndërtojmë një Mekanizëm Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm, ku shkollat, psikologët, shërbimet sociale, Policia e Shtetit, Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve, pushteti vendor dhe drejtësia për të miturit të shkëmbejnë informacion dhe të ndërhyjnë përpara se rreziku të kthehet në tragjedi.

Së dyti, duhet të investojmë te familja. Programet e edukimit prindëror, këshillimi psikologjik dhe mbështetja sociale nuk janë luks, janë politika të sigurisë publike.

Së treti, shkolla duhet të jetë shumë më tepër sesa një institucion që transmeton dije. Ajo duhet të edukojë për ligjin, qytetarinë, etikën, përdorimin e sigurt të teknologjisë dhe shëndetin mendor. Psikologu dhe punonjësi social duhet të jenë pjesë aktive e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.

Së katërti, institucionet e sigurisë mund të forcojnë më tej policimin në komunitet dhe partneritetin me qytetarët. Besimi është arma më e fortë kundër kriminalitetit. Institucionet e sigurisë kanë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e rendit publik. Krahas këtij misioni, përvoja europiane dëshmon se forcimi i policimit në komunitet dhe partneriteti me qytetarët rrit ndjeshëm efektivitetin e parandalimit.

Së pesti, është e domosdoshme të forcohet kuadri ligjor kundër rekrutimit të të miturve nga grupet kriminale, duke rritur përgjegjësinë penale të atyre që i shfrytëzojnë dhe duke zgjeruar programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për fëmijët në konflikt me ligjin.

Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të ndërmarrë një nismë kombëtare në formën e një projekti ‘Adoleshenti i Sigurt 2030’, që të bashkojë në një vizion të vetëm familjen, shkollën, institucionet e sigurisë, pushtetin vendor dhe shoqërinë civile, si platformë për koordinimin e politikave ekzistuese dhe zhvillimin e mekanizmave të rinj të parandalimit.

Një program që të jetë i mbështetur mbi pesë shtylla: ndërhyrjen e hershme, mbështetjen e familjes, shëndetin mendor, shkollën gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. Kostoja e parandalimit është gjithmonë më e ulët se kostoja e dështimit. Çdo euro e investuar sot në një psikolog shkolle, në një qendër rinore, në një trajner sportiv, në një punonjës social apo në një program mentorimi kursen nesër kosto shumë më të mëdha në sistemin penal, shëndetësor dhe social. Ky nuk është vetëm një detyrim moral. Është një investim strategjik për sigurinë kombëtare.

Si ish-drejtuese e një institucioni penitenciar kam parë fundin e shumë historive. Forca e një shteti nuk matet vetëm me aftësinë për të ndëshkuar, por edhe me aftësinë për të parandaluar.

Kjo përvojë më ka bindur se çdo ndërhyrje në fazat e hershme është shumë më efektive sesa çdo reagim kur dëmi është bërë tashmë i pakthyeshëm.

Një shtet i fortë matet me numrin e fëmijëve që arrin të mbrojë. Nëse sot zgjedhim të investojmë te familja, te shkolla, te komuniteti dhe te shëndeti mendor i të rinjve, nesër do të kemi më pak viktima, më pak autorë veprash penale dhe më shumë qytetarë që besojnë se e ardhmja e tyre ndërtohet me arsim, punë dhe dinjitet.

Ai bëhet i fortë kur ndërton më shumë familje të forta, më shumë shkolla që edukojnë, më shumë komunitete që mbrojnë dhe më shumë institucione që bashkëpunojnë. Sepse siguria nuk fillon te porta e komisariatit. Ajo fillon në dhomën e një fëmije që ndihet i dëgjuar, i kuptuar dhe i mbështetur. Në fund të fundit, mënyra se si një shoqëri trajton adoleshentët e saj nuk tregon vetëm se çfarë është sot. Tregon se çfarë do të jetë nesër. Asnjë politikë sigurie nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk është njëkohësisht edhe politikë arsimore, sociale dhe familjare. Kjo nuk është vetëm një çështje e politikave të sigurisë. Është një çështje e përgjegjësisë sonë si prindër, si edukatorë, si profesionistë dhe si qytetarë.

Në fund, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është sa adoleshentë kemi humbur.

Pyetja është: Sa jemi ende në kohë të shpëtojmë?

Përgjigjja do të përcaktojë jo vetëm fatin e një brezi, por edhe sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.

*Juriste | Ish-Drejtuese e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për Gratë

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: