Debate të shumta në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë të fokusuar jo vetëm tek çështja e eurobondit, pas projektligjit të depozituar nga qeveria. Një debat për etikën duket se ka pasur dhe mes kryetarit të komisionit, deputetit socialist Eduart Shalsi dhe deputetit Dashamir Shehi.

Pas një ndërhyrjeje të deputetit të PD Bujar Leskaj, i cili sugjeroi të merret parasysh qëndrimi i Shehit, Shalsi kërkoi në fund të mbledhjes që të mos qeshej kur flisnin kolegët e maxhorancës, duke iu referuar një ironie të bërë prej Shehut në momentin që po fliste ish-ministrja e Financave Anila Denaj.

Kjo bëri që kreu i LZHK të nervozohej dhe ta quante Shalsin legen, teksa i kërkoi që mos t’i bënte më kurrë moral apo t’i jepte leksione edukate.

DEBATI
Bujar Leskaj: Kisha një sugjerim miqësor kryetar. Natyrisht ne këtu e respektojmë njeri-tjetrin të gjithë. Ky është një komision ku mund të flasësh me profesionalizëm pa kaluar thellë në agravime politike. Kisha një kërkesë për ju si kryetarë dhe të gjithë. Ne në kuadrin e respektit reciprok mendoj që ju dhe ne të gjithë duhet të vlerësojmë më tepër dhe ministrja, sugjerimet tejet konstruktive të zotit Shehi, bazuar në përvojën e tij të gjatë në parlament, përvojën si shtetar dhe konstruktivitetin e tyre, profesionalizmin. Nuk jemi në momente të caktuara që mund të kalojmë në situata me debate shterpë dhe pa kuptim. Ky është një sugjerim mjekësor.

Eduard Shalsi: Për mua çdo sugjerim merr vëmendjen maksimale. Gjithsesi unë nuk besoj se as zoti Shehi, as ndonjë deputet nuk ka nevojë për avokati në këtë komision. Për mua është shumë e rëndësishme që të paktën edhe kur nuk biem dakord mos të biem në mënyrë të papëlqyeshme. Konstatova dy fakte dhe shpreha dy shqetësime, sikundër secili prej jush është i lirshëm t’i thotë. Unë jam i bindur dhe bëj maksimumin, kam përgjegjësinë të moderoj, por nuk kam asnjë të drejtë mbi ju dhe shpreh bindjen që Komisioni do të vijojë me profesionalizëm, por gjithmonë duke kërkuar që të kundërshtojmë njëri-tjetrin, por mos të jemi të papëlqyeshëm për njëri tjetër. Nëse dikush do të ndërtojë një objeksion, do të bëjë ironi, do qeshi do të marrë, një fjalë apo kundërshti nga personi tjetër, atëherë natyrisht, por mua nuk më shqetësojnë debatet sidomos kur janë konstruktive, nuk më shqetësojnë as shpotitë ndonjëherë apo të qeshurat ndonjëherë tjetër për sa kohë nuk janë dashakeqe dhe nuk kanë qëllim të keq, sikundër mund të ishte dhe rasti konkret, por nga ana tjetër debat është, duhet të mësohemi me debatin, me pikëpamjet e kundërta.

Dashamir Shehi: Shiko po ua kursej këtyre kolegëve këtë muhabetin sepse është i kot ky moralizmi. Zoti kryetar, këtu nuk je kryetari i frontit këtu. Për gjestet tona të pahijshme mbajmë përgjegjësi personale. Zonjën e njoh që fëmijë dhe nuk kam as qëllim as ta ofendoj dhe as ta poshtëroj. Pse paske qesh ti? Unë mund të qesh dhe kur thua ti ndonjë fjalë. Jam 64 vjeç, kam 30 vjet në këtë parlament, mos e bë më dhe kaq. Mos e bë më dhe kaq, legen! Po më jep leksion për edukatën ti. Po më tregon qesh e qa.

Eduart Shalsi: Çfarë mos të bëj më? S’paske kuptuar fare.
Dashamir Shehi: Po më jep mua leksion ti për edukatën këtu në parlament. Kam qenë shembulli i edukatës këto 30 vjet.
Bujar Leskaj: Unë nuk kam ndërmend të bëj avokatinë e asnjërit, përveç se avokatinë time si deputet i Vlorës dhe i zgjedhësve të Vlorës. Zoti Shehi nuk ka nevojë për avokatinë e asnjërit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb