TIRANE- Avokati mbrojtës i Saimir Tahirit ka folur pak para se në Gjykatën e Apelit të shqyrtohet masa për ish-ministrin e Brendshëm që kërkon t’i shpëtojë “arrestit të shtëpisë” . Ndërsa ka komentuar deklaratat e bëra një ditë më parë nga ambasadori amerikan Donald Lu ekskluzivisht për “BalkanWeb”, Haxhia tha se kishte ndarë në dy pjesë deklaratën e ambasadorit.

Sipas tij ka qarqe të caktuara që duan ta shohin Tahirin prapa hekurave dhe përhapin informacionet për korruptimin apo presionin e gjyqtarëve. Ndërsa shtoi se ishte dakord me pjesën e dytë të deklaratës së ambasadorit Lu, që gjykata duhet të veprojë mbi prova dhe t’i referohet ligjit.

“Ishte e rëndësishme se atë mesazh e ndava në dy pjesë. Ndodh rëndom në vend kur ka çështje pikante, që përdoren metoda të tilla, ose hapen fjalë që qarkullojnë presione apo para. Veçoj mesazhin e Lu që gjykata duhet të gjykojë në prova dhe në ligj. Nëse gjykata i referohet provave dhe ligjit sot Tahirit duhet t’i hiqet masa e arrestit të shtëpisë”- tha ai.

MESAZHI I LU
Në një prononcim ekskluziv për “BalkanWeb” Donald Lu i ka bërë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, pasi sipas tij ka raportime nga burime te pavarura për presione dhe ryshfete ndaj gjykatësve.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”- ka thënë Donald Lu për “BalkanWeb”.

Kujtojmë se Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar më 12 maj 2018, masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin Habilaj. Vendimi i gjykatës urdhëron Tahirin të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në Tiranë, tek Rruga “Kodra e Diellit”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb