MOSKE– Rusia ka kërkuar shpjegim nga Turqia, pasi presidenti i këtij vendi, Rexhep Taip Erdogan, është shprehur se kërkon t’i japë fund regjimit të liderit sirian Bashar Al-Assad, pavarësisht aleancës së Putin me presidentin sirian. Vladimir Putin dhe lideri turk Erdogan diskutuan rreth situatës në Siri gjatë një bisede të gjatë telefonike ditën e mërkurë. Kjo është bërë e ditur përmes një deklarate zyrtare të zëdhënësit të Putin, Dimitri Peskov.

“Ka patur një shkëmbim të gjerë opinionesh sa i përket shqetësimit rreth Sirisë, përfshirë këtu edhe situatën në Alepo. Janë ngritur një numër çështjes emergjente rreth marrëdhënieve Rusi-Turqi, por edhe për marrëdhëniet bilaterale të përgjithshme në nivele të ndryshme”.

Zëdhënësi i presidentit rus, Dimitri Peskov, u shpreh se Kremlini kërkonte që Turqia të japë shpjegime pas deklaratës befasuese.

“Kjo është një deklaratë shumë serioze që bie ndesh me deklaratat e mëparshme dhe me atë çfarë kemi kuptuar rreth situatës. Shpresoj që së shpejti të jepen shpjegime rreth kësaj nga partnerët tanë turq”.
Ai shtoi më tej se Moska është në pritje të një deklarate sqaruese për të vendosur nëse ky incident do të ndryshojë natyrën e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe theksoi se Rusia është i vetmi vend me prezencë legjitime ushtarake në Siri, sepse forcat e tyre u vendosën pas një kërkese direkte të liderit sirian.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb