Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas deklaratave të ministres serbe Snežana Paunović lidhur me Kosovën, duke kritikuar kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi e cilësoi situatën “skandaloze”, duke akuzuar Ramën se në një kohë kur një ministre e qeverisë së Beogradit bëri deklarata të rënda për luftën në Kosovë, ai u shfaq në një intervistë për Euronews Serbia dhe foli pozitivisht për Vuçiçin dhe nismën e “Ballkanit të Hapur”.
“Ditën që një ministre e Vuçiç deklaron në një intervistë se po të ishte ajo në vend të Millosheviçit, do ta kishte realizuar pastrimin etnik në Kosovë, Edi Rama u shfaq në Euronews Serbia dhe foli me simpati për presidentin serb”, shkroi Këlliçi.
Sipas tij, kryeministri shqiptar nuk dënoi deklaratat e zyrtares serbe dhe nuk shprehu indinjatë, por zgjodhi të fliste për bashkëpunimin rajonal dhe për idenë e “Ballkanit të Hapur”. Këlliçi kritikoi gjithashtu deklaratën e Ramës për këtë nismë, duke thënë se kryeministri shqiptar e lidhi mbështetjen për të me marrëdhënien e tij me Vuçiçin.
“Edi Rama u asociua me Vuçiç kur tha se kjo ide fantastike u sulmua vetëm sepse ata të dy qëndronin pas saj”, u shpreh deputeti demokrat. Në reagimin e tij, Këlliçi e cilësoi këtë qëndrim si të papranueshëm dhe akuzoi Ramën për një qasje të përsëritur ndaj Serbisë gjatë 13 viteve të qeverisjes. “E papranueshme, skandaloze kjo qasje. E përsëritur tashmë në 13 vite. Në shesh duhet të rrëzojmë sunduesin e Tiranës dhe binjakun e autokratit të Beogradit. Është imperativ kombëtar”, shkroi Këlliçi.
REAGIMI I KELLICIT
SKANDALOZE!!!
Ditën që një ministre e Vuçiç deklaron në një intervistë se po të ishte ajo në vend të Millosheviç, do ta kishte realizuar pastrimin etnik në Kosovë, Edi Rama u shfaq në Euronews Serbia dhe foli me simpati për presidentin serb!!!
As nuk dënoi deklaratat e zyrtares së lartë, as nuk shprehu indinjatë. Por tha se ideja e Ballkanit të Hapur ishte fantastike.
Edi Rama u asociua me Vuçiç kur tha se kjo ide fantastike u sulmua vetëm sepse ata të dy qëndronin pas saj.
E papranueshme, skandaloze kjo qasje.
E përsëritur tashmë në 13 vite. Në shesh duhet të rrëzojmë sunduesin e Tiranës dhe binjakun e autokratit të Beogradit.
Eshte imperativ kombëtar!
