TIRANE- Zbardhet misteri i ‘grabitjes’ së ndodhur sot në kryeqytet. Fill pas denoncimit të një 29-vjeçarje se kishte rënë preh e një grabitje me dhunë, e më pas ishte plagosur me thikë, policia e Tiranës ka arritur të hedhë dritë mbi ngjarjen. Burime nga grupi hetimor i çështjes bënë me dije se gjithçka ishte inskenuar nga e reja me inicialet J.F.

Mësohet se ajo kishte bërë deklarim të rremë në Polici, pasi i kishte premtuar të atit se do merrte një kredi për ta ndihmuar në shlyerjen e një borxhi që ai kishte. Të njëjtat burime pohuan se në kohën kur prindrit po vinin për ta takuar vajzën dhe për t’i kërkuar lekët, 29-vjeçarja nën presion ka gërvishtur me thikë veten në duar, duke sajuar dhe grabitjen.

Sakaq, sapo u njoftuan për ngjarjen që sipas kallëzuese kishte ndodhur përpara Bankës së Shqipërisë, forcat policore nisën hetimet. Vajza deklaroi se grabitësit i kishin marrë me forcë nga çanta 3 milionë lekë dhë më pas ata ishin larguar nga vendngjarja. Pas hetimeve të bluve, rezultoi se gjithçka ishte sajesë e 29-vjeçares, e cila do të përballet me akuzën për veprën penale “Kallëzim të rremë”.
(d.b/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: