Nga: VITORE NDOJ*
LEZHE – Një dënim për herë të dytë për At Zef Pllumin. Kështu e cilësojnë familjarët e klerikut franceskan, publicistit e shkrimtarit të madh, dekorimin e personit që në diktaturë ka qenë hetues në çështjen e “At Zef Pllumit”, Shyqyri Çoku.

Mbesa e klerikut, e cila jeton në Ishull-Shëngjin të Lezhës deklaron se ai i fali persekutorët, por asnjëherë nuk do ta kishte menduar se pas rënies së komunizmit, ata do të nderoheshin nga një qeveri demokratike.
“U ndjeva shumë keq, edhe e poshtrume. Unë e kam axhë dhe me dekorimin e hetuesit që e ka torturuar axhën që e ka dënuar, ata e dënuan axhën për herë të dytë. Për ne ishte shumë e dhimbshme. – deklaron Angjelina Gjeka, mbesa e At Zef Pllumit.

Angjelina deklaron se nuk ka besim se vendimi do te tërhiqet mbrapsht.
“Sikur mu kthy ajo koha e kalume, ato vuajtjet, ato dhimbjet ato poshtërimet, nëpërkëmbjet.”- shprehet ajo.

Kalvari i vuajtjeve të priftit franceskan At Zef Pllumbi ka qenë tepër i gjatë, ku pas dënimit me tre vite në vitin 1946, ai rikthehet nga sistemi diktatorial në burg për plot 23 vjet të tjera, duke vuajtur dënimin në burgjet dhe kampet më famëkeqe shqiptare.
E gjithë brenga e asaj kohe do të rrëfehej nga vetë kleriku në veprën e tij më të famshme, “Rrno për me tregue”.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: