TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ekonomise, Erjon Braçe ka deklaruar sot se zgjedhja e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë është një proces kompleks që kërkon bashkëpunimin mes institucioneve. Duke u ndalur tek dekreti i Presidentit Nishani, Braçe tha se Guvernatori i ri duhet të jetë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke lënë të kuptohet se është kundër dekretit të Presidentit.
“E vendos Konferenca e Kryetarëve për ta futur në rend të ditës dekretin dhe më pas është diskutimi. Unë do të kërkoj investimin e Komisionit të Ligjeve për të parë dekretin a përputhet me ligjin.Sepse siç ju kam thënë më përpara, në të gjithë këtë histori në Bankën e Shqipërisë ka një problem shumë të madh ligjor, që ka të bëjë me të drejtën e propozimit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Ligji është shumë i qartë, 5 anëtarë i propozon Kuvendi, 3 anëtarë qeveria dhe 1 anëtar e propozon Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së- Asnjë institucion tjetër përtej këtyre 3 institucioneve nuk angazhohet apo ngarkohet nga ligji për të përzgjedhur anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Për fat të keq, Guvernatori sipas ligjit, duhet të jetë edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Kështu që mbetemi në këtë moment ligjor që duhet ta zgjidhim institucionet e tjera të Kuvendit”, tha Braçe.
Braçe tha ndër të tjera se, “Ka precedentë të zgjedhjes së Guvernatorit në këtë vend, që nga vitet e para 1992 e me radhë. Precedentët dëshmojnë qartë se si zgjidhet Guvernatori, nga radhët e kujt zgjidhet dhe natyrisht çfarë funksioni ka patur”.
Në lidhje me zgjedhjen e Guvernatorit Braçe shtoi se vullnetet individuale nuk i shërbejnë askujt, por nuk pranoi të komentonte nëse deklarata e tij është një votë kundër dekretit të Nishanit.
“Unë nuk po flas fare as për kandidat, as për dekret por për një çështje që do zgjidhje të qartë ligjore. Është një çëhstje shuam e rëndësishme zgjedhja e Guvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës që duhet zgjidhur me qetësi dhe mirëkuptim midis institucioneve. Vullnetiet individuale nuk i shërbejnë askujt”, u shpreh ai.
Para dy ditësh Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i propozoi Kuvendit zgjedhjen e Genti Sejkos për postin e Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë. Dekreti i presidentit, që pritet të kalojë për votim në Kuvend, është arsyetuar me përvojën menaxheriale, formimin e lartë profesional, edukimin dhe integritetin moral të Genti Sejkos.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: