Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi  i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka komentuar dekretin e fundit të Greqisë për mbylljen e gjireve që konkretizojnë më tej zgjerimin me 12 milje në detin Jon.

Duket se çështja pas këtij veprimi të paralajmëruar do të shkojë në Hagë, por për Idrizin kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Sipas tij Greqia në arenën dhe Gjykatat ndërkombëtare është shumë më e fortë dhe lobuese dhe se Shqipëria s’ka shanse të gjejë barazi aty.

Idrizi akuzon Ramën se hesht për këtë gjë dhe e ka miratuar tashmë, teksa thekson se ai pas 7 viteve negociata të dështuara dhe kohë të humbur, Rama u kthye në pozicionin e Berishës për çështjen e detit me Greqinë.

‘’Ky është një akt i paralajmëruar i  Greqisë, prej disa kohësh është anoncuar nga kryeministri grek se në mënyrë të njëanshme do zgjeroheshin ujërat, dhe ishin njoftuar edhe pala shqiptare.

Shqipëria jo vetëm e ka ditur, por dha një miratim të heshtur. Zgjerimi me 12 milje që prek interesat shqiptare, dhe jo vetëm edhe zonën ekonomike. Ajo që të vje keq është se përveç heshtjes, kryeministri iu drejtua duke u munduar të justifikojë këtë akt të njëanshëm të Greqisë që prek interesin territorial dhe ekonomik të Shqipërisë.

Ka dashur ta justifikojë Greqinë. Fillimisht tha se nuk e ka me ne. Pra kur zgjerohet një palë, tjetra do ngushtohet. Pastaj tha që e ka të drejtën e saj, duke na përmenduar edhe Konventën. Sigurisht që thotë se të gjitha vendet zgjerohen me 12 milje detare, por në pikën 15 thotë se aty ku mundet. Nuk është rasti i Shqipërisë me Greqinë. Më pas na thanë që do e çojnë në Hagë. Edhe për këtë ka debat. Çndodhi papritur, ndërkohë që Greqia nxiton të marrë hapa të përsëritur. Edhe dekreti i djeshëm, edhe ai i mëparshmi, dy dekrete të ndryshme për të dobësuar Shqipërinë. Njëri zgjeron 12 milje, tjetri mbyll gjiret e Greqisë, atë të Korfuzit duke shënuar vijën bazë.

Dje kryeministri na paraqiti edhe atë që e ka bërë Shqipëria. Greqia e ka përcaktuar që në 1936. Konventa është që në 1982. Shqipëria e ka bërë në 1990.

Ka një pyetje të madhe, pse u kujtua Greqia tani, pas 40 vitesh, 30 vite pas Shqipërisë. Greqia i ka deklaruar kufijtë e saj territorialë e detarë në 1976. U pa e udhës që nga 15 të kthehej në 12. Nuk jemi në të njëjtin rast. Ajo që bën tjetër përshtypje është se kush thotë që nuk na prek në kanaline Korfuzit. Vërtet aty s’janë 6 milje, por i jep plotfuqishmëri ishujve Erikuza dhe Othonoi. Greqia i paraqet si arqipelag. Dhënia fuqi ndaj tyre. Nuk po bëjmë ekspertin. Me kë këshillohet kryeministri? Po bëhet fjalë për integritetin territorial, s’ka një studio, kryeministri pas 7 vitesh diskutime, duke humbur kaq në negociata na kthehet në pozicionin e z.Berisha që thoshte hajde ta çojmë në Hagë, Nuk është zgjidhja më  e mirë, Gjykata Kushtetuese i ka mbyllur derën. Shqipëria e Greqia mund të diskutojnë vetëm për zonën ekonomike e shelfin kontinental. Kush na garanton ne për GJykatën e Hagës. Po bëhet fjalë për sovranitetin e Shqipërisë, integritetin territorial. Mos i lihet në dorë ky vendim një njeriu të vetmuar.

Po them që kjo që po ndodh ka nevojë për një vëmendje absolute, dhe gjithë institucionet të kenë një strategji kombëtar. Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për atë që mund të ndodhë në jug të Shqipërisë. Rama është servil me të huajt. Në krah të Vuçiçit telendisi të gjithë liderat e Kosovës. Ndërkohë që mbante qëndrime të tilla, në krah të mikut të tij më të mirë në Ballkan, gjente kohë t’i merrte numrin Vuçiçit për Mihajloviçin, ish-trajnerit të Sampdorias i cili ka qenë krahu u Arkanit. Nëse shqetësimet vijnë prej kësaj vendimmarrje, besoj që tashmë kemi ardhur në pikën që opinioni publik duhet të jetë më shumë se kurrë i shqetësuar. Jemi në kufijtë e tradhëtisë kombëtare, s’dua ta besoj.

Sapo e thashë që prekja e interesave kombëtare e fut kryeministrin në llum ku praktikisht si mjaftojnë gjithë bojërat në tavolinën e vet. Kur flet për dinë e imanë, ai as ia ka idenë, s’ka lidhje me këtë punë. Por s’mund të jetë telendar si llazoret e rrugëve, e aq më shumë të etiketojë shqiptarët për transparncën që kërkojnë.

Rama i frikësohet Greqisë dhe vetos së saj në integrimin europian. Kjo që ka ndodhur është në vazhdën e servilizmit ndaj Greqisë e vendeve të tjera. Ky është akti i fundit. Më parë hoqi fjalën për Çamërinë. U bënë varrezat e ushtarëve grekë që erdhën si pushtuesë në Shqipëri. Ajo që më vjen shumë keq është që mirë edhe të vdekurit nuk vlejnë njësoj. Nuk duhet të ketë varreza për shqiptarët e Çamërisë që ranë në shtëpitë e tyre. Ia jep varrezave të ushtarëve grekë dhe jo shqiptarëve të Çamërisë. Çështje ashpërsie është fakti që kryeministri i ka premtuar Greqisë që do e bëjë censusin me vetëdeklarim apo ligji për minoritetet që e nxorën Shqipërinë me 9 minoritete, si dhe hoqëm konceptin e zonave minoritare. Në që në kohë të Zogut e njihnim Dropullin e Finiqin minoritet. Pra, kjo është një vazhdë që të bën përshtypje. Akti i fundit i paralajmëruar i Greqisë, por edhe miratimi i heshtur i kryeministrit, Shqipëria ka nevojë për qëndrim. Në Hagë shkohet me dakordësinë e dy vendeve, si rasti i Italisë me Slloveninë. Nuk është kjo rruga më e mirë. Sllovenia bëri referendum që ta kalonte çështjen në Hagë. Gjykata e Hamburgut është më e mira. Me kë e ka konsultuar kryeministri?  Greqia është shumë më e fortë dhe lobuese. Shqipëria nuk ka shanse të gjejë barazi aty në Gjykatën e Hagës. Po thotë që marrëveshja që do bëhet më e mirë se ajo e mëparshmja. As më e mirë as më  e keqe, marrëveshja më e mirë është ajo e jona. ‘’- tha Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb