TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, për të biseduar mbi vijimin e procesit të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, përgjegjësitë që ka prokuroria si organ përgjegjës për administrimin e vetëdeklarimeve, si dhe bashkëpunimin me këtë institucion në zbatim të parashikimeve ligjore.

Kryetari i Kuvendit te Shqipërisë në vijim të detyrimeve që burojnë nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” si dhe Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin 138/2015”, ka nxjerrë urdhrin për caktimin strukturës së posaçme, pranë të cilës do të dorëzohen dhe administrohen formularët e vetëdeklarimit, për subjektet të cilët në zbatim të akteve të sipërcituara e paraqesin atë pranë tij.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë në përputhje me parashikimet e akteve të sipërcituara, ka hartuar dhe publikuar në faqen zyrtare të tij Regjistrin “Për vetëdeklarimin pranë Kryetarit të Kuvendit të titullarëve apo anëtarëve të organeve kushtetuese, institucioneve të krijuara me ligj, si dhe funksionarët politikë të Kuvendit”.

Kryetari i Kuvendit inkurajon të gjithë titullarët apo anëtarët e organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit, si subjekte të këtij ligji por edhe për nëpunësit civil të institucioneve të tyre.

LLALLA KRIJON STRUKTURËN QË DO VERIFIKOJË INTEGRITETIN E ZYRTARËVE
Pak ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, firmosi urdhrin për krijimin e strukturës së posaçme për verifikimin e integritetit të zyrtarëve publikë, në zbatim të ligjit të njohur ndryshe edhe si ligji ”Për dekriminalizimin…”.

Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Kreu VII i Vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr.17 datë 04.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015…”, përcakton organin e Prokurorisë si institucioni përgjegjës për verifikimin e integritetit të zyrtarëve në të gjithë administratën publike.

Burime zyrtare nga prokuroria bëjnë të ditur se “bazuar në aktet ligjore të mësipërme, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron krijimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, i cili do të përbëhet nga 2 prokurorë, 3 oficerë të Policisë Gjyqësore dhe një specialist i Teknologjisë së Informacionit”.

Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron edhe;
– Krijimin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave për verifikim dhe krijimin e regjistrit për regjistrimin e formularëve të vetëdeklarimit; si edhe,
– Krijimin e një sistemi elektronik për regjistrimin, ruajtjen dhe dokumentimin e kërkesave për verifikim, të dhënave, akteve apo fakteve të administruara, rezultatet e verifikimit dhe të dhënave të grumbulluara.

Në urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohen edhe detyrimet e punonjësve që do të jenë pjesë e Sektorit të Verifikimit. Sipas këtij akti, të dhënat dhe informacionet e grumbulluara në këtë proces trajtohen në përputhje me ligjin nr.138/2015, me Vendimin e Kuvendit nr. 17 datë 04.03.2016, si edhe me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Po ashtu, çdo person që hyn, transmeton, përdor ose përpunon të dhënat e sistemit elektronik në kundërshtim me rregullat teknike dhe legjislacionin në fuqi, ngarkohet sipas rastit me përgjegjësi administrative ose penale.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: