Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Komisioni i Posaçëm parlamentar i Dekriminalizimit e mbylli dje punën e tij me amendamentet kushtetuese. Kryetari i Komisionit, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, bëri një prezantim të përmbledhur të paketës për ndryshimet kushtetuese, duke u shprehur se “amendamentet dhe ligji duhet të miratohen, pasi që në seancën para dy javë e gjysmë është debatuar kjo paketë.

Gjithashtu, është debatuar në seancë publike, ashtu siç edhe e parashikon rregullorja dhe tashmë jemi në kornizën kohore trejavore që parlamenti duhet ta miratojë, apo të përmbyllë miratimin. Siç u ra dakord edhe në mbledhjen e kaluar, duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese për hapjen e rrugës për ndryshimin e dispozitave kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese janë të atilla që do të trajtojnë problemin në të ardhmen, pra largimin e personave të cilët nuk plotësojnë kriteret e integritetit për funksione kushtetuese e publike, pasi në aktivitetin e tyre kanë dënime penale për krime të parashikuara në ligj dhe për rrjedhojë nuk konsiderohen të përshtatshëm për të ushtruar funksione publike, kushtetuese apo të krijuara me ligj”, – sqaroi Bylykbashi.

Sipas tij, “ndryshimet kushtetuese parashikojnë në-përmjet një pakete tranzitore, ndërprerjen e mandateve të të gjithë funksionarëve kushtetues dhe të organeve të tjera kur këta konsiderohet se janë në shkelje të kushteve për ushtrimin e funksionit”. Mandej shtoi se “ligji që ne kemi miratuar është i detajuar në këtë aspekt. Ai do të jetë proporcional, pra dënimet më të rënda do të jenë kusht për ndalime me afat më të gjatë dhe krimet që dënohen më pak do ta kenë më të shkurtër. Pra, ajo që sugjeron Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, proporcionaliteti është i demonstruar qartë dhe në interes publik në kufizimin e një të drejtë me ligj”, – tha Bylykbashi.

“Një çështje kryesore që merr zgjidhje është vendosja e kufizimeve tek e drejta kushtetuese që parashikon të drejtën e zgjedhjeve, pasi personat të cilët janë dënuar sipas këtij ndryshimi kushtetues do të jenë të kufizuar, gjithashtu në ushtrimin e së drejtës për t’u zgjedhur dhe ndalimin do ta bëjë ligji, por parashikohet jo vetëm për personat e dënuar, por edhe për personat që ende nuk janë dënuar me vendim përfundimtar, apo janë duke kryer dënime për krime të një karakteri specifik, siç janë krimet e rënda”, sqaroi Bylykbashi.

Në fund të mbledhjes që zgjati vetëm pak minuta, nënkryetari i këtij komisioni, deputeti i PS-së, Taulant Balla shtoi: “Paketa është prezantuar që në mbledhjen e kaluar të komisionit, por për të reflektuar germë në germë Kushtetutën, duhet të ketë një mbledhje të përbashkët me Këshillin e Legjislacionit. Edhe në aspektin procedural, brenda afateve të shkojë në Kuvend”, – tha ai.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: