Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit me magnitudë 6.3 të shkallës rihter përveç dëmeve të shkaktuara në njerëz dhe shumë banesave të shkatërruara, nuk ka kursyer as urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga vet ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastrirliu. Në një prononcim për gazetarët ministrja tha se godina nuk ka probleme strukturore, por një prej dhomave të urgjencës, ajo e pritjes, është mbyllur.

Sipas ministres shërbimi i urgjencës është riorganizuar nga hyrja kryesore e spitalit për të funksionuar me kapacitet të plotë. “Është rionganizuar shërbimi i urgjencës nga hyrja kryesore e spitalit. Janë marrë të gjitha masat sipas protokolleve për të pritur çdo qytetar të lënduar dhe puna po vijon normalisht”, -tha Manastirliu. Ministrja tha se aktualisht në spitalin e Durrësit po trajtohen 22 të lënduar, ndërsa pjesa më e madhe e të lënduarve kanë lënë spitalin. Ministrja në një dalje të mëparshme së bashku me inxhinierin Agron Hysanbelliu tha se pas vlerësimit të godinës u vendos që spitali i Durrësit nuk ka dëme në strukturë dhe nuk përbën rrezik.

Që nga momenti i rënies së tërmetit të parë në spitalin e Durrësit janë trajtuar rreth 345 pacientë, të cilët kanë marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.

“Prej mëngjesit të sotëm, jemi në spitalin e Durrësit për të organizuar punën, ku kujdesi shëndetësor për të plagosurit mos të mungojë. Instituti i Ndërtimit na konfirmoi se godina nuk ka dëmtime strukturore, por dëmtimet që janë shfaqur duhet të nisin një strukturim. Ndaj vendosëm që të mbyllim një dhomë të urgjencës, atje ku ishte pritja e pacientëve. Bëmë spostimin dhe lëvizjen e pacientëve. Siguria është maksimale. Nuk ka pasur fluks qytetarësh të lënduar nga tërmeti. Ne jemi të përforcuar. Jemi në gatishmëri me ambulanca. Janë rreth 60 raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, por janë raste të lehta. Një pjesë e kanë lënë spitalin, një pjesë kanë qëndruar siç e kërkon protokolli. Problematikat e sotme janë shoqëruar me shqetësimet e ankthit.”, -tha Manastirliu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb