Cory Richins u dënua të mërkurën me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht për vrasjen e bashkëshortit të saj Eric me qëllim që të trashëgonte një shumë të madhe parash.

Rasti i saj kishte shkaktuar sensacion pasi u zbulua se pas vdekjes së Eric Richins   ajo kishte shkruar një libër për fëmijë për pikëllimin .

Pas një gjyqi që zgjati me javë të tëra, juria me tetë anëtarë e shpalli Richins, 36 vjeç, fajtore për vrasje të rëndë për helmimin e burrit të saj me fentanil në mars të vitit 2022, duke shkaktuar vdekjen e tij. Ajo u shpall gjithashtu fajtore për tentativë vrasjeje të rëndë për përpjekjen për ta vrarë atë disa javë para vdekjes së tij në Ditën e Shën Valentinit.

Ajo u shpall gjithashtu fajtore për mashtrim me sigurimet dhe falsifikim të sigurimit të tij të jetës.

Ajo dhe burri i saj, Eric, kishin tre djem. Djali më i madh, tani 13 vjeç, i tha gjykatës se i mungon i ati, jo e ëma.

Gjatë gjyqit, u paraqitën prova se e pandehura ishte në borxhe prej miliona dollarësh, kishte marrë polica sigurimi jete për burrin e saj dhe kishte një lidhje jashtëmartesore.

Prokurorët thirrën më shumë se 40 dëshmitarë, përfshirë gruan që dyshohet se i furnizoi Richins drogën që përdori për të vrarë burrin e saj. Prokurorët thanë gjatë gjyqit se ajo gabimisht besonte se do të trashëgonte pasurinë e tij, me vlerë më shumë se 4 milionë dollarë , pas vdekjes së tij.

Për më shumë se një vit, Richins luajti rolin e një vejushe në zi , madje shkroi një libër të quajtur “Are You With Me?” për të ndihmuar fëmijët e saj – të tre të sajt – të përballonin humbjen. Libri iu kushtua burrit të saj, të cilin ajo e përshkroi si “një burrë të mrekullueshëm dhe një baba të mrekullueshëm”…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb