Rithemelimi ka bërë sot një denoncim ndaj ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Në një dalje për mediat, anëtari i këshillit kombëtar, Çlirim Gjata bëri thirrje që të largohej menjëherë nga detyra Manja, pasi bleu 1 mijë metra tokë në Farkë me çmim poshtë tregut, ndërsa kërkon hetim për korrupsion.

DEKLARATË E ANËTARIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR, ÇLIRIM GJATA:

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja blen 1 mijë metra tokë në Farkë me një çmim disa fish më të ulët se tregu. Pyetja e parë që shkon për ministrin është si e gjeti këtë pazar, a përdori detyrën si ministër apo u shpërblye për ndonjë favor që ka bërë gjatë kohës si ministër i Drejtësisë?

A ka konflikt interesi ministri?

Kush është Arben Maloku, ish drejtor i Erjon Velisë në bashki, i dënuare për ndërtime pa leje, dhe pse ia shet ministrit tokëm me një çmim qesharak në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës?

Të dashur qytetarë,

Besoj i dini përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve dhe kanë të bëjnë me sistemin e korrupsionit të ngritur, nga patronazhistët më të thjeshtë deri të ministrat. I lejuar dhe frymëzuar nga vetëm një njeri që quhet Edi Rama.

Shkeljet e Ulsi Manjës janë disa.

Së pari, ka blerë tokë truall poshtë çmimit referencë.

Së dyti, Manja e ka blerë tokën me të njëjtën vlerë që është rivlerësuar nga shitësi. Pra ka shmangur taksat e shtetit duke paguar zero lekë.

Së treti, Manja është shefi i një Task Force antikorrupsioni në qeveri. Është ngritur për të luftuar korrupsionin, por e bën vetë se nuk ka besim te të tjerët.

Të dashur qytetarë:

Ky është Ulsi Manja të cilin SPAK e ka shpëtuar njëherë duke shpallur moskompetencë për dosjen e zgjedhjeve të Dibrës.

Me çfarë justifikimi do ta lejojë SPAK, Ulsi Manjan që të shkelë ligjin dhe të dalë pa lagur sërish?

Partia Demokratike kërkon largimin e menjëhershëm të Ulsi Manjës për korrupsion dhe kërkon hetimin e tij.

Çdo ditë në krye të ministrisë së Drejtësisë është një padrejtësi dhe fyerje që u bëhet shqiptarëve, dhe një mënyrë që Manja të vazhdojë të majmet, të korruptohet e të korruptojë.

Kundër Manjës, kundër Ramës, kundër të gjithë hajdutëve të Rilindjes ejani në protestë!

O sot o kurrë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb