Rithemelimi ka bërë sot një bilanc të të borxheve që sipas tij ka qeveria shqiptare sa i takon çështjeve të humbura në Arbitrazh.

Në një dalje për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD e Rithemelimit, Genta Vangjeli, qeveria Berisha ka humbur vetëm një çështje në Arbitrazh, ndërsa qeveria Rama 13.

DEKLARATA E ZEDHENESES ANTIKORRUPSION NE PD, GENTA VANGJELI:

Kur gazetari i ‘Rai 3’, e pyeti lidhur me pagesën e gjyqit të humbur në Arbitrazh ndaj Bechettit, Edi Rama u përgjigj se nuk e njihte…

Dokumentet e publikuara nga qeveria Rama, të cilën vetë ai e drejton, tregojnë të kundërtën. Se Rama dhe qeveria e tij ‘njohin’ jo vetëm Bekettin, por edhe 12 ‘bekettë’ të tjerë.

Në raportin e Ministrisë së Financave të mes-vitit për zbatimin e buxhetit 2023 jepen edhe detyrimet në Arbitrazh të qeverisë së Shqipërisë, para që dalin nga taksat e qytetarëve.

-E para është Çështja ‘e panjohur’ për KM- ‘Bechetti’ me vlerë 108 milion euro shoqëruar me kostot ligjore për vendimin e arbitrazhit për këtë çështje në vlerën 5.1 milion euro.

-Çështja për Ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan: (Copri & Aktor kundër Arrsh ) me vlerë 42.9 milion euro, plus 691.4 mijë euro kosto ligjore dhe shpenzime gjyqësore.

-Çështja për Përmirësimin e Sistemit të Kanalizimeve të Tiranës së Madhe. Çështja është në proces për kontratën e lidhur në 2014 me kontraktorin ‘Dondi, Itali & Kubota’- Japoni me vlerën rreth 81 milion Euro. Shteti shqiptar vetëm për kosto administrative, përfaqësimi  dhe kosto ligjore ka paguar 2 milion euro.

– Çështja për Projektin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe menanxhimit të mbetjeve-paditës Hydro Srl.

Sipas vendimit të gjykatës Hydro do t`i paguajë Shqipërisë 60 mijë euro dhe kostot e gjyqit, ndërsa buxheti i shtetit paguan 491 mijë euro kostot e përfaqësimit dhe mbrojtjes së RSh.

– Çështja për fituesin e tenderit ndërkombëtar Arka Energy B.V për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik në Akërni (Vlorë) në vitin 2018.

Nuk u arrit  të nënshkruhej një kontratë mes palëve për fillimin e realizimit të projektit. Prandaj kompania paditi RSH në Arbitrazh. Cështja u ndërprerë ne Korrik 2022, për shkak të mospagesës së paradhënieve të kërkuara në Rregulloren Administrative Financiare të Arbitrazhit dhe shteti shqiptar njeh dhe po paguan kostot administrative për këtë cështje në vlerën 2 milion euro.

– Çështja e prishjes së njëanshme të kontratës së koncesionit ‘Për Menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit’ si dhe për shkak të marrjes së aseteve të terminalit nga Autoriteti Portual i Durrësit.

Në proces, paditës Durrës Kurum Shipping dhe të tjerë, kundër shtetit shqiptar. Shuma e kompensimit e pretenduar nga kjo kompani është në vlerën 100 milion Euro. Shteti shqiptar po paguan aktualisht kostot administrative dhe konsulencë ligjore në vlerën 2.5 milion euro.

– Çështja e fituar nga shteti shqiptar për prishjen e 3 marrëveshjeve për hidrokarbure me GBC OIL Company.

Për këtë çështje shteti shqiptar njeh detyrimin për të paguar paditësin GBC OIL Company në vlerën 13.3 milion euro për rentën minerare si dhe kostot ligjore 1.6 milion euro.

– Çështja për mosnjohjen e 600 milion dollarëve nga Albpetrol gjatë zbatimit të marrëveshjes Hidrokarbure me paditës Bankers Petroleum Albania (BPAL) në Patos-Marinez, për të cilën shteti shqiptar po paguan Kostot ligjore për procedurat e përfaqësimit në vlerën vlera 6.3 milion euro.

– Çështja e Arbitrazhit me STARBRIDGE në Portin e Karpenit HFË LLP vlera 500 mijë euro.

– Çështja me TIA , vlera 250 mijë euro

– Çështja për refuzimin e dhënies së lejes mjedisore nga shteti shqiptar për ndërtim termocentrali në Korcë me paditës Kompaninë austriake IVICOM Holding për projektin e planifikuar 618 milion dollarë.

Për këtë Çështje shteti shqiptar po paguan kostot paraprake dhe ligjore në vlerën 2.5 milion euro.

– Çështja me kompaninë ‘Valeria srl’, në lidhje me një ndërmarrje të fermave të luleshtrydheve dhe domateve, për të cilën shteti shqiptar po paguan kosto administrative me vlerë 1.9 milion euro.

– Çështja në lidhje me projektin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe menaxhimit të mbetjeve me paditës AlbaniaBeg Ambient shpk, Construzioni srl dhe Angelo Novelli, të cilët kërkojnë dëmshpërblimin  për anulimin e kontratës për import dhe përpunim plehrash për përfitim energjie, vendim i cili u mor pas protestave të shumta qytetare në 2014.

Aktualisht shtetit shqipar mbart detyrimin për kostot e përfaqësimit ligjor në vlerën 1.2 milion euro.

Deri tani shteti shqiptar njeh detyrimin fillestar prej 197.2 milion euro lidhur me arbitrazhet.

Ndërkohë vijojnë pagesat e studiove ligjore lidhur me procedurat e Arbitrazhit.

 

Vetëm për vitin 2023 janë paguar 2.8 milion euro për studiot e huaja të kontraktuara nga shteti shqiptar lidhur me arbitrazhet.

 

Dhe gjysma e kësaj vlere shkon për Omnia Strategy, kompania e bashkëshortes së Tony Blair.

Ndërsa qeverisë Berisha i numërohet vetëm 1 çështje e humbur në Arbitrazh, ajo për ndërtimin e segmentit rrugor Gjirokastër-Tepelenë kontratë e vitit 2005, qeveria Rama numëron 13 çështje në arbitrazh.

Qytetarët ta bëjnë vetë diferencën e performancës edhe në këtë drejtim…
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb