Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me kompanitë KAYO, TIMAK dhe TIMAK Defence, duke pretenduar se 34 milionë euro të dhëna për industrinë e mbrojtjes kanë përfunduar te aktiviteti i hipizmit i lidhur me “Equos Resort”.

Në një deklaratë publike, Xhixho e cilësoi marrëdhënien KAYO-TIMAK si “skandalin e radhës të qeverisë Rama” dhe kërkoi hetim nga SPAK. Sipas saj, në këtë rrjet marrëdhëniesh biznesi shfaqen edhe Ron Yeffet dhe Ergys Agasi.

“34 milionë eurot e dhëna Ron Yeffetit ngrenë një pyetje themelore: ku kanë përfunduar paratë publike të destinuara për industrinë e mbrojtjes?”, deklaroi Xhixho, duke kërkuar të sqarohet edhe se si janë dhënë këto fonde.

REAGIMI I XHIXHOS
KAYO dhe skema korruptive mori 34 milionë euro për armët nga buxheti i shtetit, por paratë përfunduan te biznesi i kuajve!
Kayo-Timak është skandali i radhës i qeverisë Rama. Faktet dhe lidhjet janë të qarta dhe nevoja për hetim është emergjente!
Miqtë e Ramës, Ron Yeffet dhe Ergys Agasi, shfaqen në një rrjet marrëdhëniesh biznesi ku ndërthuren TIMAK, KAYO, TIMAK Defence dhe Equos Resort. 34 milionë eurot e dhëna Ron Yeffetit ngrenë një pyetje themelore: ku kanë përfunduar paratë publike të destinuara për industrinë e mbrojtjes? Kush ia dha pushtetin Ronit që të ndërmjetësojë dhe të krijojë këtë skemë korrupsioni?
Skandali nuk mbyllet këtu.
Në vitin 2025, TIMAK paraqiti në një tender ndërkombëtar në Ukrainë dokumentacion për përdorimin e një magazine. Ish-Uzina e Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve, e cila me vendim të Këshillit të Ministrave, më 12 mars 2025, i kaloi në pronësi KAYO-s.
Megjithatë, më 13 korrik 2025, kjo pasuri rezulton në dokumentet e tenderit si pjesë e kapaciteteve të TIMAK. Dhe vetëm një muaj më pas, në gusht 2025, krijohet TIMAK Defence, ku KAYO hyn si aksionere dhe kontribuon pikërisht me këtë pasuri.
Si u përdor një pasuri shtetërore në dokumentacionin e një kompanie private?
Kush e lejoi? Kush përfitoi?
Pra, paratë e sektorit të mbrojtjes janë orientuar drejt aktivitetit të hipizmit në Equos Resort.
Pushteti i Ronit, Gysit etj., buron vetëm nga Edi Rama. Vetëm me bekimin e tij, këta dy individë mund të merreshin me punët e pista të vendit dhe me kordinimin e grupeve kriminale.
Provat janë të qarta. SPAK duhet të ndjekë paratë. Të kontrollojë çdo kontratë, çdo dokument, çdo transfertë dhe çdo pasuri.
SPAK duhet të hetojë Edi Ramën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb