Kreu i Emergjencave Civile në Tiranë, Erind Bejko, sqaroi në rubrikën “Opinion”, në News24, vendimin e Bashkisë së Tiranës për të hequr të gjitha depozitat nga tarracat e pallateve.

Bejko iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të shohin çfarë ndodhi në Durrës nga tërmeti i 26 nëntorit dhe të ndërgjegjësohen për t’u bërë bashkë në zbatim të këtij vendimi. Sipas tij, pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit Bashkia e Tiranës ndodhet përballë fakteve shumë të forta, ndaj dhe duhen marrë vendime të forta.

Kur do të hiqen depozitat në pallate?
Pas tërmetit ne jemi përballë disa fakteve shumë të forta, që duhen marrë dhe vendime të forta. Ashtu siç u vunë lart depozitat, duhet të hiqen poshtë. Ky nuk është proces i dirigjuar nga një institucion, por nga gjithsecili. Banorët e pallatit duhet të bëhen bashkë dhe të mblidhen në një depozitë të përbashkët. Administratori i pallatit, bashkë me institucionet e vogla, të fillojë të marrë masa për lirimin e çatisë, dhe më pas kompozimi i një depozite të përbashkët. Gjithë pallatet e reja kanë depozitë të përbashkët. Ka pallate që kanë hapësirë nën tokë, ka pallate të tjera ku dikush ka uzurpuar gjithë lulishten, por ka dhe pallate pa hapësirë, për të cilët do krijojmë një hapësirë nën tokë pa dëmtuar themelet e pallatit.

Ky proces nuk bëhet dot nga banorët…
Ky proces është bërë nga vetë banorët, ndaj nuk besoj se nuk e bëjnë dot. Pas tërmetit deri më tani kemi as 21 pallate, që ishin ankuar për këtë proces. Taskë Forcat tona shkuan dhe biseduan me banorët, sepse banorët janë më të sigurt kur dëgjojnë zërin e ekspertit. Nëse lejohet që dikush të futet në themelet e pallatit për të bërë lokal, ky është dëm për të gjithë. Ky është momenti për t’u bërë bashkë dhe për t’u ndërgjegjësuar, dhe për të mos lejuar që secili të bëjë ç’të dojë. Do jetë një moment i madh ndërgjegjësimi që t’iu japim një drejtim dhe këtyre gangrenave, që filloi pas viteve ‘90, për çështje estetike, por që përbën rrezik.

Ju desh ky tërmet që ta kuptoni këtë dhe për të detyruar banorët të heqin menjëherë depozitat? Pse i lejuat t’i vini aty?
Jo, nuk ishte ky moment. Ne kemi 4 vite që punojmë me mirëmbajtjen e qytetit, ku kemi mundur të hyjmë në negociatë me banorët, e kemi bërë. Deri më tani nuk ka qenë e detyrueshme, por është punuar me çdo pallat, ku njerëzit janë bërë bashkë. Por, tërmeti shërben për të kuptuar njerëzit sa e rëndësishme është që të hiqen.

Ka sanksione nëse nuk zbatohet?
Departamentet juridike po punojnë për ta pasuruar këtë kuadër. Ne po mendojmë t’i çlirojmë pallatet. Shumica e pallateve të shpallura të pabanueshme në Tiranë janë të para viteve ’90, ndaj dhe duhen liruar nga kjo barrë.

A do iu vijë në ndihmë bashkia për kostot banorëve?
Kostoja për të bërë këtë është 10-fish më pak se ajo që kanë bërë deri më tani, sepse deri më tani secili ka pas depozitën e tij, pompën e tij, rrjetën e tij. Nuk është një moment për të valutuar koston, pasi është minimale, se do blihet një depozitë për të gjithë pallatin.

Nëse banorët nuk bëhen bashkë, si do t’i bindim?
Siç kemi bindur 1500 pallate që të kenë administratë, do të vazhdojnë me bindje, me komunikim, me negociatë, sepse nuk ka formë tjetër. Edhe evakuimi ishte proces delikatë, nëse do i ishim futur me forcë, nuk do ja kishim dalë, por e bëmë me komunikim. Nuk është momenti për të ushtruar forcë për depozitën. Për ndihmë financiare do të komunikohet, ne kemi ndihmë financiare për pallatet, mund ta financojmë edhe bashkërisht.

Do bashkëpunoni me policinë?
Është një Taskë Forcë e ngritur mes zjarrfikësve dhe policisë bashkiake, kryetari i bashkisë do bëjë një takim me administratorët e pallateve dhe pastaj do fillojë procesi.

Ka një afat kohor?
Dje u shpall vendimi. Ditët në vijim do të qartësohet me afatet. 1500 pallate në Tiranë, do jetë e vështirë, vetëm koha e komunikimit do hajë kohën e vet. E rëndësishme është që çdo familje të ketë ujë, dhe jo ku është e vendosur depozita. Kam pallate ku gjithë tavani kishte bërë baltë për shkak të depozitës. Nuk mund të vazhdojë më kështu, kjo situatë duhet të mblidhet dhe ky është momenti. Qytetarët të shohin çfarë ndodhi në Durrës dhe të ndërgjegjësohen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb