TIRANË- Deputetët demokratë të Komisionit të Shëndetësisë, Albina Deda dhe Roland Keta ishin sot në QSUT për të parë nga afër gjendjen e Urgjencës dhe disa shërbimeve pas mungesës 24 orëshe të ujit dhe largimit të disa pacientëve nga mjediset spitalore.

Deputetët diskutuan me disa shefa pavijonesh, mjekë dhe të afërm të pacientëve të cilët ngritën shqetësimin për bllokimin e shërbimeve, gjendjen kritike që u krijua nga mosfurnizimi me ujë.

Pas vizitës, deputetja Albina Deda dhe Roland Keta u shprehën për mediat se ky është një skandal i paprecedent i shkaktuar jo nga natyra, por nga papërgjegjshmëria e kryetarit të bashkisë dhe Ministrit të Shëndetësisë, duke krijuar panik e përkeqësim të gjendjes tek pacientët dhe tek stafi mjekësor në QSUT.

“Ministri është i angazhuar në babëzinë e abuzimit të tenderëve shumë milionëshe dhe nuk ndërhyn për të siguruar shërbimet më qenësore. Uji ka ardhur pas 24 orësh mungese por nuk është vërtetuar nëse është i pastër dhe i shfrytëzueshëm për spitalet”, tha Deda.

“Tirana pa ujë prej tre ditësh nuk tolerohet si fakt por mosfurnizimi i spitaleve është akt çnjerëzor, një katastrofe me shkaktar jo natyrën siç mundohet ta paraqesë Beqaj dhe Veliaj, por hallkat e sistemit që nuk funksionojnë, shto këtu papërgjegjshmërinë e kryeministrit, Ministrit të Shëndetësisë dhe kryetarit të bashkisë”, tha deputetja Deda.

Përfaqësuesit e PD u shprehën se është e pafalshme dhe mizore që ministri Beqaj dhe kryeministri turist dhe piktor ekspozitash shqetësohen vetëm për tenderët qindra milionë euro, kur pacientët e QSUT, nuk kanë ujë, nuk kanë barna në spital, kushtet në pavijone janë skandaloze, dhe qytetarët blejnë gjithçka vetë. “Nuk kanë ujë as për ndërhyrjet kirurgjikale, ndërkohë që spitali ushtarak përmbytet. Sot kemi një kaos që nuk ndodhi as në vitin ‘97, dhe personeli profesionist është përjashtuar nga çdo vendimmarrje”, thanë ata.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb