Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi nuk i ka kursyer ironitë në drejtim që qeverisë ‘Rama’, teksa diskutoi projektbuxhetin që pritet të miratohet për vitin e ardhshëm. Ai u shpreh kundër këtij projektbuxhet si dhe kundër taksës për input-et bujqësore.

Duke qëndruar në linjën e ironisë, Këlliçi tha se PS ka gjetur zgjidhjen për problematikat përmes ngritjes dhe digjitalizimit të “Akademisë së Barinjve”, ndërsa shtoi se satelitët do të gjejnë treg në orbitat e tjera për farën e kosit.

“Flisni për bagëti apo për bujqësi, ku ulja e TVSh-së shkon nga 6% në 0%, dhe sigurisht keni parë dhe reagimin e grupeve të interesit, kjo e dëmton rëndë blegtorinë. TVSh-ja edhe sikur të hiqet, impaktin nuk e jep më shpejt se 6 muaj qapo 1 vit. Prezantuat taksën 100 lekë për qumështin pluhur dhe pastaj e hoqët, donit të taksonit qumështin pluhur që është lëndë e parë. Ndërkohë që do të lejoni të futen pa taksë të gjitha nënproduktet e qumështit pluhur. Kujt i shërben kjo do të pyesin qytetarët? Lobingjeve të importit i shërben më së miri. Ja kujt i shërben. Ka një tregues tjetër këtë që është vendosja e TVSH-së 10% për input-et bujqësore, që penalizon bizneset vendase. Taksat për bujqësinë do të nxisin importin. Por ju e keni zgjidhjen, do të digjitalizoni “Akademinë e Barinjve”, ku fara e kosit do të jetë nënprodukti kryesor dhe me dy satelitët tuaj Albania 1 dhe Albania 2 do të kërkoni treg për fermerët në orbitat e tjera. Ju lutem kini një fije seriozitet pasi këtu nuk jeni në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ndaj unë do të doja të shtynit afatin e konsultimeve për paketën fiskale”, tha Këlliçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb