POGRADEC- Vetëm katër ditë më parë ajo u gëzua me një djalë, ndërsa sot vuan vdekjen e tij. Semke Hyka nga Pogradeci, nënë për here të parë, me lot në sy rrëfen për “News24” çastet e tmerrshme që po përjeton me vdekjen e mistershme të fëmijës së saj në maternitetin e Pogradecit.

Ajo pohoi se fëmija lindi normalisht dhe pa asnjë komplikacion, ndërsa një ditë më pas ajo vërejti se ai kishte infeksion në lëkurë.

“Doktori na tha se t’i kalojë dhe nuk na la ta çonim në Tiranë. Pas dy orësh fëmija u nxi dhe e nisëm në Tiranë, por në gjysmë të rrugës ai mbaroi. Kërkoi të gjendet e drejta se pse ndërroi jetë fëmija. I kërkoj llogari drejtorit të fëmijës që nuk e kuptoi më parë sëmundjen, dhe infermiereve që u kujdesën për të. Sot më ndodhi mua dhe nesër mund t’i ndodhë nënave të tjera. Doktorët duhet të jenë të kujdesshëm. Lekun e paguam, më shumë u kemi dhënë dhe më pak jo, por fëmija ndërroi jetë.”, tregon mes dhimbjes nëna. Hyka theksoi se foshnja e saj kishte qëndruar në atë gjendje 2-3 orë, ndërsa infermieret nuk i kishin bërë asgjë.

Ndërkohë, më i ashpër ka qenë reagimi i babait të foshnjës, Agron Hyka, i cili ka akuzuar mjekun dhe infermierët për neglizhencë, ndërsa shtoi se nëse drejtësia nuk vihet në vend ai do marr hak. Hyka bëri të ditur se foshnja i tij ishte në gjendje të mirë shëndetësore, por pasi i dolën puçrra në trup ai u përkeqësua. “Është veteriner agresor dhe jo mjek. Djali lindi mirë dhe unë kam fotografi. Nuk ma pa fare djalin. Më erdhi ditën e dytë dhe më tha se djali ka disa infeksione të lehta dhe do t’i kalojë. Pastaj më tha ‘do e fus në sëmur dhe disa mjekime’. E futi në serum dhe i beri një ilaç djalit që e vuri në gjumë tërë ditën, e më pas ai u skuq dhe i hipi temperatura. Infermierja dha e mori, merrte edhe në telefon. Ai erdhi më pas. Ne i kërkuam që ta merrnim djalin e ta çonim në Tiranë. Ai kërcënoi dhe motrën time, pasi ia kërkoj edhe ajo. Ai tha ‘ju keni qenë ndonjëherë sëmurë’? Ai i tha se nuk shërohet djali për një orë, do ditë. Unë i thash: ‘Doktor a më garanton se e kam humbur më parë një fëmijë, ky është i dyti dhe ndihem shumë i shqetësuar” Më tha: “Mos ki merak sepse po ishte për ta nisur në Tiranë, unë e nis vet. S’mund ta çoni ju”. E mori djalin dhe e vuri në inkubator e i dha oksigjen dhe më pas djali nisi të qante, u nxi. Dha urdhrin e më pas e nisi për Tiranë. U nisëm me ambulancë, dhe na dërgoi deri në Udenisht. E pash djalin që e kishte mjekja a doktoresha, që vari kokën e vdiq. E pash me sytë e mi. Kemi paguar 200 mijë lekë doktorin dhe infermiereve. Na e vranë fëmijën. Nëse drejtësia nuk vihet në vend do marr hak ndaj doktorit dhe nuk e lë të gjallë”, tha babai.

Sipas familjarëve foshnja lindi para 4 ditësh dhe mjekët të cilët e kishin ndjekur lindjen iu kishin thënë se fëmija ishte mirë. Mësohet se fëmija ka pasur komplikacione dhe për këtë e kishin nisur rreth drejt Tiranës por rrugës foshnja kishte ndërruar jetë. Familjarët të tronditur për humbjen kanë dyshime të forta se faji është i mjekëve pasi ata u kishin deklaruar se fëmija kur lindi pas operacionit ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë në maternitet mbërriti policia e Pogradecit, e cila mori në pyetje mjeket dhe familjarët.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb