Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook” ka reaguar në lidhje me dështimin e negociatave të Bashkisë së Tiranës me firmën private për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Kokëdhima shprehet se ky është një lajm i mirë dhe se teatri Kombëtar ka fituar, bashkë me shqiptarët.

Reagimi i kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’ për vendimin e bashkisë së Tiranës:

Teatri Kombëtar fitoi, bashkë me shqiptarët

Koço Kokëdhima

Bashkia e Tiranës deklaroi sot se nuk ka arritur që të dakordësohet me palën private për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, gjoja sepse ‘Modeli financiar i propozuar nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor’.

‘Zgjidhja’ beson se zbythja e qeverisë dhe e bashkisë së Tiranës është mbi të gjitha rezultat i qëndresës së artistëve dhe qytetarëve. Ajo nisi që në shkurt 2018, u mbështet nga populli dhe çështja u ndërkombëtarizua te institucionet e huaja që i bënë presion qeverisë shqiptare që të tërhiqej nga shkatërrimi i shtëpisë së artistëve.

‘Zgjidhja’ falenderon artistët e skenës dhe të ekranit, shoqërinë civile dhe qytetarët për qëndresën shembullore ndaj një klani hajdutësh që donin të ndërtonin kullat e biznesit në tokën e tempullit të artistëve. Një falenderim shkon edhe për anëtarët e partisë ‘Zgjidhja’ që iu bashkuan protestës paqësore dhe qytetare të ‘Aleancës për Teatrin’.

‘Zgjidhja’ nuk beson se teatri i ri do të nisë ndërtimin brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, siç shprehet bashkia, aq më shumë nga qeveria e kryeministrit që kërkoi rrënimin e tij që në vitin 2000.  Një qeveri e re do t’u japë një skenë të re, dinjitoze dhe moderne, artistëve tanë të mrekullueshëm. Por sot, le të gëzohemi që Teatri Kombëtar fitoi, bashkë me shqiptarët.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb