Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues (IVF) gjatë një seance të enjten, më 23 maj, për shkak të mungesës së deputetëve gjatë votimit. Votimi për këtë projektligj tash e disa muaj ka ngecur tek amendamenti i katërt i propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Korenica.

Amendamenti i katërt nuk kaloi as në seancën e së enjtes, pasi që për të votuan katër deputet, dy kundër dhe abstenuan 55 nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Korenica tash e disa muaj kishte kërkuar që prej legjislacionit duhet të largohen tre paragrafë të cilët parashohin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas).

Si referencë për individë, ai i ka përmendur gratë e pamartuara dhe partnerët e gjinisë së njëjtë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, në seancën e 23 majit prezantoi edhe amendamentin e pestë, duke kërkuar që në projektligj të mos jetë individi ai që vendos të ketë fëmije, por të jetë vendim i çiftit.

“Vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë për të vendosur me vullnetin e tyre për të pasur fëmijë dhe assesi individi apo gruaja e pamartuar duke ia mohuar të drejtën fëmijës të ketë baba edhe nënë”, tha Korenica, i cili edhe njëherë kundërshtoi këtë projektligj për formën sesi është aktualisht.

Te votimi për këtë amendament morën pjesë vetëm 59 deputetë, dhe në këtë situatë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi që të mos vazhdohet tutje, deri sa të ketë “koordinim mes grupeve parlamentare”.

Kjo është hera e pestë radhazi që partia në pushtet tenton t’i votojë amendamentet e propozuara nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica. Për herë të fundit, Kuvendi kishte tentuar t’i miratojë këto amendamente në seancën e 7 marsit, por kishte dështuar për shkak të të mungesës së kuorumit.

Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj. Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.

Ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve. Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Kosova ka një repart të posaçëm për IVF-në në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Por, ai nuk është funksional pasi nuk ka pajisjet e nevojshme. Për pajisjet e këtij reparti, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: