GJIROKASTËR

Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Gjirokastër, ku disa persona hynë në një banesë, ku ndodheshin vetëm dy të moshuara, dhe morën një sasi parash.

Mësohet se banesa e vjedhur është në pronësi të shtetasit Vasil Basho, i cili ishte larguar nga Shqipëria vetëm një ditë më parë, për të shkuar në Greqi, aty ku edhe jetonte.

Në momentin e grabitjes, në banesë ndodheshin vetëm vjehrra e Bashos me një plakë tjetër, që e shoqëronte gjithmonë, dhe që të dyja ishin mbi 80 vjeçe.

Ndonëse zyrtarisht nuk ka ende informacion për grabitjen, i zoti i shtëpisë ka thënë se në banesë kishte 1500 euro dhe 80 mijë lekë të rinj.

Me t’u njoftuar nga policia për grabitjen, ai është nisur urgjent drejt vendit të tij. Në deklarimet e para në polici, ai ka thënë se dyshon te personat e zonës. Nga ana e saj, policia ka shoqëruar deri më tani 8 persona nga fshati, qyteti dhe zonat përreth.

Tre grabitësit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur, ndërsa nga banesa kanë marrë edhe një valixhe me dokumente, që ka qenë e mbyllur. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Terihat, Bashkia Dropull.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb