Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari portugez Miguel Mendes. I riu u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15 në shezlongët e një plazhi, pranë një lokali. Policia ka identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim.
Sipas burimeve të informacionit, nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës është konstatuar se 20-vjeçari kishte marrë disa goditje me thikë, në shpinë dhe në kraharor. Për shkak të plagëve të marra, vdekja dyshohet se ka qenë e menjëhershme.
Mësohet se Miguel Mendes kishte ardhur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë.
Ndërkohë, 29-vjeçari Sokrat Vata, i identifikuar nga policia si autori i dyshuar, ishte i punësuar si roje plazhi në hotelin “Principotes”. Ai është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti për motive të dobëta, ndërsa burime bëjnë me dije se në qendër të konfliktit mund të ketë qenë një femër. Ky element mbetet për t’u verifikuar nga hetuesit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Vata vijon të jetë në kërkim nga policia.
