TIRANE- Të tjetra detaje dalin në dritë nga plagosja e sotme e një 40-vjeccari sot në Kamëz. “BalkanWeb” mëson se Korab Peposhi është qëlluar me 5 plumba nga një person që është identifikuar nga policia.

Gazetari i ‘News24’ Klajdi Bodlli raportoi nga vendi i ngjarjes se skena e krimit ka ndodhur anës rrugës, në një trotuar në afërsi të urës së Institutit Bujqësor, në rrugën e “Shkodrës”. Nga të dhënat paraprake dyshohet se policia po heton rreth pistës së hakmarrjes, pasi viktima dhe autori njiheshin më parë dhe se nuk ka qenë një konflikt i çastit.

“I plagosuri ka marrë 5 plumba, në buzë të rrugës. Nga burime policore mësuam se ngjarja nuk ka ndodhur për një konflikt të çastit por si pistë dyshohet të jetë hakmarrja”, raportoi Bodlli.

Po ashtu, ‘BalkanWeb’ ka siguruar edhe pamje nga vendi i ngjarjes, ndërsa aty kanë ngelur njollat e gjakut të viktimës. Aktualisht ky i fundit ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Policia po vijon punën për kapjen e autorit si dhe zbardhjen e ngjarjes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb