Tetë persona, mes tyre dy punonjës të kompanisë Boeing, kanë humbur jetën pasi një bombardues B-52 i Forcave Ajrore të SHBA-së u rrëzua menjëherë pas ngritjes në Kaliforninë jugore.

Aksidenti ndodhi të hënën rreth orës 11:20 sipas kohës lokale, ndërsa avioni ishte në një mision rutinë testimi. Përplasja shkaktoi një shpërthim të fuqishëm dhe një re të madhe tymi të zi, e cila u pa nga kilometra larg.

“Sot, Baza Ajrore Edwards përjetoi një tragjedi të tmerrshme dhe humbëm tetë amerikanë të shkëlqyer”, deklaroi James Hayes, duke sqaruar se viktimat përfshinin personel ushtarak, punonjës civilë të qeverisë dhe kontraktorë.

Sipas autoriteteve ushtarake, avioni ishte angazhuar në mbështetje të programit të modernizimit të radarëve të bazës dhe u rrëzua pak çaste pas ngritjes, duke shpërthyer në flakë. Zyrtarët theksuan se indikacionet e para tregojnë se aksidenti nuk la asnjë mundësi mbijetese për personat në bord.

Identiteti i viktimave nuk është bërë ende publik, pasi familjarët e tyre po njoftohen nga autoritetet. Ndërkohë, operacionet në bazën ajrore janë pezulluar përkohësisht.

Shkaku i aksidentit mbetet i panjohur. Hetimet paraprake pritet të zgjasin deri në 30 ditë, ndërsa analiza e plotë e shkaqeve mund të kërkojë më shumë se gjashtë muaj.

Në një deklaratë të veçantë, Boeing konfirmoi se dy nga punonjësit e saj ndodheshin në avion dhe se kompania është në kontakt me familjet e viktimave.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e cilësoi ngjarjen si një “incident tragjik” dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe komunitetin e bazës ajrore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: