Detaje të reja kanë dalë në dritë për rastin e 38-vjeçares skoceze Elizabeth Jane Ross, trupi i së cilës u gjet më 18 korrik në një valixhe në zonën e Kypselit, në Athinë. Sipas raportimeve të publikuara nga Daily Mail, hetuesit dyshojnë se autori i krimit mund të ketë përdorur telefonin e saj celular për të krijuar një skenar të rremë dhe për të fshehur gjurmët.
Telefoni i Ross, i cili ende nuk është gjetur, rezulton se ka mbetur aktiv pas vdekjes së saj. Pajisja ka vazhduar të transmetojë sinjal në Athinë deri rreth 24 orë para identifikimit zyrtar të trupit, përpara se të çaktivizohej në mënyrë misterioze pikërisht kur lajmi nisi të përhapet në mediat ndërkombëtare.
Babai i 38-vjeçares, avokat në profesion, ka konfirmuar se familja kishte marrë mesazhe nga telefoni i saj nga data 15 deri më 29 korrik.
Një prej mesazheve të dërguara më 15 korrik shkruante:
“Më duhet pak kohë – do të shkoj në një ishull grek.”
Mesazhe të tjera drejtuar familjarëve pretendonin se Elizabeth dëshironte të qëndronte vetëm për pak kohë.
Postimi misterioz në Facebook pas vdekjes
Një tjetër element që ka ngritur dyshime është një postim i publikuar në profilin e saj në Facebook më 24 korrik, gjashtë ditë pasi trupi i saj u gjet.
Postimi, sipas miqve të saj, nuk përputhej me realitetin, pasi Ross kishte vdekur tashmë. Në tekst pretendohej se ajo po përgatitej të udhëtonte drejt Turqisë dhe se kishte gjetur një drejtim të ri shpirtëror.
“Kam qenë pak e qetë javët e fundit dhe e di që mund të duket sikur jam zhdukur, por sinqerisht nuk është kështu… Ndihem sikur Zoti po më thërret atje”, thuhej në postim.
Shoqja e saj e vjetër, Melissa Rogers, tha se mesazhi nuk kishte kuptim dhe se dikush duket se kishte tentuar të imitonte mënyrën e të shkruarit të Lizës, e njohur për besimin e saj fetar dhe përkushtimin ndaj njerëzve në nevojë.
Ajo shprehu shqetësimin se natyra e saj ndihmuese ndaj të tjerëve mund ta ketë ekspozuar ndaj një rreziku fatal.
Hetimi përqendrohet te 72 orët para zbulimit të trupit
Policia greke po analizon me kujdes 72 orët para gjetjes së trupit, duke ndjekur disa pista.
Njëra prej tyre lidhet me një burrë të pastrehë të njohur në zonë me emrin “Markos”. Sipas dëshmive, ai është rreth 40 vjeç, me trup të shëndoshë, flokë të zinj dhe shumë tatuazhe. Banorët thonë se ai kishte sjellje agresive ndaj grave dhe shpesh mbante thikë.
Ai flinte në një parking të braktisur pranë vendit ku u gjet valixhja, por u largua nga zona menjëherë pas zbulimit të saj.
Pista tjetër lidhet me personat me të cilët Ross kishte pasur kontakte në Greqi.
Elizabeth mbërriti në Greqi më 26 qershor dhe qëndroi fillimisht te miq grekë në Keratsini. Më 15 korrik ajo u tha atyre se do të shkonte në Kypseli për të qëndruar me disa miq amerikanë.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që këta persona të mos kenë ekzistuar dhe se ajo mund ta ketë përdorur këtë histori për të qetësuar familjen.
Dyshime për mënyrën e vdekjes
Sipas hetimeve paraprake, trupi mund të jetë vendosur në ndërtesë më 17 korrik. Një person pa banesë që ndodhej aty më 15 dhe 16 korrik ka deklaruar se nuk kishte parë valixhen.
Ekzaminimet mjeko-ligjore kanë përjashtuar deri tani mundësinë e vdekjes nga mbytja apo nga goditje fatale në kokë. Tani hetuesit janë përqendruar te analizat toksikologjike për të përcaktuar nëse 38-vjeçares i janë administruar substanca narkotike ose helmuese.
Në vendin ku u gjet valixhja, banorët kanë vendosur lule në kujtim të saj. Pranë fotografisë së Elizabeth Ross dikush ka lënë një mesazh prekës:
“Një engjëll ishte këtu.”
