Nga: GERILINA KODHELI*
TIRANE – Rolet janë si puna e femrave të gjitha kanë një pikë të dobët”, thotë Devis Muka, një nga aktorët më aktiv të skenës shqiptare. I shquar për rolet e tij në komedi, artisti tregon se nuk e ka aspak të vështirë të kalojë nga njëri karakter në tjetrin, madje tashmë ky proces i jep kënaqësi. Aktualisht Devis Muka është duke u përgatitur për sezonin e ri të “E diell”, ku është i angazhuar në “Pa limit”, një rubrikë që gjatë sezonit të kaluar ka pasur rekord shikueshmërie. Por, ky nuk është i vetmi impenjim i Devisit, i cili është në pritje të premierës së një filmi shqiptar, që besohet se do të të jetë projekti kinematografik i vitit, e shumë shfaqje të tjera në teatër.
Devis, jeni një ndër aktorët më aktiv të skenës së teatrit dhe numëroni dhjetëra role. Sa e vështirë është të kalosh nga njëri karakter në tjetrin?
Rolet janë si puna e femrave të gjitha kanë një pikë të dobët, vetëm duhet të dish se cila është. Dhe të zbulosh pikën e dobët të një femre duhet të jesh një dashnor i mirë dhe në këtë rast unë jam një dashnor i mirë për rolet. Vështirësi nuk kam më pasi tashmë është kthyer në kënaqësi.
Kryesisht keni luajtur në komedi. Është një zgjedhje e mirëmenduar, ju vjen humori natyrshëm, apo rastësore?
Komedia nëse është vërtet komedi dhe jo vulgaritet është një nga zhanret më të vështira. Unë kam pasur fatin që kam punuar gjithmonë me më të mirët dhe në të gjitha shfaqjet që kam qenë kanë pasur sukses.
Shumë nga aktorët shqiptarë kanë shfrytëzuar hapësirat televizive për të qenë ndoshta më të pranishëm dhe më popullorë. E ke menduar ndonjëherë veten si pjesë të spektakleve të humorit, “Portokalli”-së? Do të shohim në ndonjë të tillë së shpejti?
Kur mos thuaj kurrë. Koha ndonjëherë flet më mirë se fjalët prandaj t’ia lemë asaj në dorë.
Megjithatë keni qenë pjesë e televizionit herë pas here, në “Dance with me”, në “E diell”… Ku do t’ju shohim këtë sezon?
Shumë shpejt nisim shown argëtues “PA LIMIT” që sezonin e kaluar pati rekorde shikueshmërie dhe këtë sezon do vijë edhe më interesante dhe plot surpriza në “Top Channel”.
Aktualisht je duke punuar për ndonjë shfaqje të re?
Dashuria e parë nuk harrohet kurrë. Teatrit shumë shpejt do t’i rikthehem me disa shfaqje shumë interesante që jam i sigurt që do bëjnë bujë në jetën artistike të Tiranës.
Cili është mendimi yt për situatën aktuale të teatrit?
Teatri dalëngadalë po ndryshon edhe pse prisja që ritmet e ndryshimit të ishin më të shpejta. Por gjithsesi jam optimist pasi më parë ishte në një situatë indiference dhe harrese.
Po sa i takon kinematografisë ke ndonjë projekt?
Shumë shpejt do jetë në kinematë e qytetit një film ku jam pjesmarrës. Besoj se do jetë një nga filmat surprizë të vitit. Por tani vetëm kaq mund të them.
Devis, sa të ndihmojnë aftësitë në aktrim edhe në jetën e përditshme?
Të jesh aktor është hall më vete se nuk të besojnë as njerëzit e shtëpisë mirë të tjerët. Por prapë sot jetojmë në kohën ku gënjeshtra është e vërtetë dhe e vërteta kthehet në gënjeshtër. Kështu që unë përpiqem të jem i vërtetë në jetë dhe të gënjej më të vërtetën në skenë.
Të ka ndodhur që dikush të ketë dyshime, apo mos t’ju marrë seriozisht për shkak të profesionit?
Kur dal para pasqyrës edhe vetja më shikon me dyshim. Por kam filluar të gënjej dhe veten. Deri më tani po më beson.
Në cilat raste e sheh të nevojshme të aktrosh jashtë skenës?
Nuk e di, por e di që femrat kur më njohin ose më duan më shumë ose më urrejnë më shumë.
Devis, je një nga djemtë më të lakmuar të kryeqytetit. Të ka ndihmuar fama në raportet me femrat?
Prandaj nuk zbuloj gjë se sot mesa kam parë gjërat që zbulohen digjen shpejt. Më mirë po e lë në hije të gjithën se është më mirë.
Sidoqoftë, është një vajzë që ju ka rrëmbyer zemrën. Na zbulo diçka më shumë për të dhe raportin tuaj… Martesa është në planet e tua të afërta?
Të gjithë njëherë martohen, por sot më shumë bujë bën divorci. Por divorc nuk bëj se dashnoret kushtojnë më shumë se dasma.
Cila mendon se është cilësia jote më pozitive, që e ka bërë për vete të dashurën tënde?
Ajo do tek unë edhe gjërat e këqija se të mirat t’i duan të gjitha. Po nuk e di se edhe tani po ja fus kot se nuk e kam pyetur ndonjëherë. Tani që ma kujtove do ta pyes.
Cila është ideja juaj për lumturinë e vërtetë?
Lumturia e vërtetë për shqiptarët është ujë dhe drita 24 orë.
Cila është frika më e madhe?
Sot frika më e madhe është të të vjedhin paswordin.
Ekstravaganca juaj më e madhe?
Mbaj mjekër dhe në verë.
Në ç’rast mund të gënjesh?
Vetëm nëse më çojnë gabimisht në ferr mund të gënjej.
Pengu më i madh?
Asnjë peng nuk kam madje as sytë blu nuk i dua.
Po armiqtë? Preferon t’i mbash larg, apo të përballesh me ta?
Armiqtë janë motivi i cili jam këtu sot, pa motivimin e tyre nuk do isha këtu sot. Prandaj faleminderit shumë armiq!
(er.nu/summerpages/BalkanWeb)
