Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Regjisori feston ditëlindjen mes miqsh, rrëfimesh dhe kujtimesh për kohët kur xhirohej, kur punohej e kur dashurohej. Dhimitër Anagnosti ka shënuar dje 80-vjetorin e lindjes, në një festë të vogël në Tiranë. Edhe pse kish dashur të festonte një përvjetor në heshtje me familjen siç ia kërkon natyra e tij, ka qenë Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit që i kanë organizuar një ceremoni festive në shenjë mirënjohjeje regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti. Festa e kineastëve u kthye në një takim ku përmes rrëfimesh u sollën në vëmendje, kohët e shkuara, filmat, bisedat, miqësitë, frikërat dhe filmat e suksesshëm. Edhe pse tashmë ai ka hequr dorë nga kinemaja, uron që ato që mund të lërë të shkruara t’u shërbejnë regjisorëve të rinj.

Kineasti që u ka dhënë jetë filmave si: ”Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Vëllezër dhe shokë”, “Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Kur hiqen maskat”, “Vëllezër dhe shokë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dje vetëm falënderoi të pranishmit. I tërhequr, ai priti çdo fjalim me buzëqeshje dhe me heshtje. Në fund, kur kujtimet e lavdet mbaruan, ai nuk e fshehu kënaqësinë për praninë e madhe në festë, a siç do të thoshte Roza Anagnosti më pas: “Një kënaqësi e madhe se nuk është harruar dhe respektohet ende”. Ndryshe prej shumëkujt, ai është refuzues ndaj mediave. Mbase, për njerëz si ai, hyn në fuqi ai rregulli standard “i veprës që flet, e njeriut që hesht”.

I cilësuar si një prej regjisorëve më të rëndësishëm të vendit, Anagnostit i numërohen në karrierën 40-vjeçare, 15 skenarë, 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” lindi në vitin 1936 në Vuno. “Këta njerëz që kanë punuar në filmat tanë dua t’i përshëndes. Jeta jonë ka qenë komunikuese, dashamirëse. Nuk kemi pasur grindje, sepse secili kishte veprën e vet dhe e ndihmonim njëri-tjetrin. Kemi nostalgji – në këtë kohë që erdhi na duhet letër e laps të shkruajmë e të lëmë ndonjë gjë. Ju faleminderit që bëmë këtë takim. Le të jetë një ditë gazi e humori”, – tha kineasti. Ndërkaq, bashkëshortja e tij, aktorja Roza Anagnosti recitoi vargje nga të tijat.

JETA SIPAS MIQVE
Fjalën e hapjes dje e mbajti Ilir Butka, Kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Mandej, përkrah çiftit të Anagnostit, ai ftoi ministren Mirela Kumbaro, e cila e nisi fjalën e saj me frazat: “Nuk kam asnjë lloj merite dhe asnjë arsye të veçantë të jem në këtë vend. Kjo i shkon detyrës që kam përkohësisht dhe jam e nderuar të jem e pranishme në 80-vjetorin e Anagnostit, pasuri e paçmuar kombëtare që urojmë ta kemi sa më gjatë mes nesh”.

Duke lënë mënjanë detyrën që mban, Kumbaro foli një copë herë si spektatore dhe si një njeri i rritur me filmat e kineastit. “Para tri dekadash, rastësisht më bie në dorë skenari i filmit ‘Përrallë nga e kaluara’. Nuk ishte bërë ende film. E kam përpirë atë tekst, në version skenari, kam qeshur pa fund dhe njëherësh kam qarë. Nuk e dija si do të ishte ai film, e shihja të paarritshëm Anagnostin”, kujtoi ajo, duke shtuar se “kur teksti u bë imazh, u bë kinema, ishte një emocion që vijoj ta kem edhe sot”. Mes të pranishmëve, Kumbaro ndau edhe një tjetër rrëfim, që kishte të bënte, këtë herë jo me spektatoren, por me ministren. Më herët, është përmendur roli i kinemasë shqiptare në Kinë, por Kumbaro, ndau me të pranishmit bisedën e bërë me ministrin kinez të Kulturës.

“Gjithnjë thuhet se pas një burri të fortë ka një grua të mençur e pas një gruaje të bukur ka një burrë të fortë, por nëse ka një model ku nuk janë asnjëri pas tjetrit, por janë të dy gjithnjë përpara, këta janë Roza dhe Dhimitër Anagnosti. Të bukur të dy, vetëm se unë shumë dekada më parë, kur nuk e dija kush ishte Dhimitri, dija shumë mirë kush ishte teta Roza. Dhe teta Roza ishte ikona, njeriu i dashur, jo vetëm i shqiptarëve, por edhe më tej. Në një takim të fundit që kam pasur me ministrin e Kulturës të Kinës, më tha që e vetmja kulturë, kinema, letërsi dhe imazh që i lejohej nga Europa Kinës, ishte ajo nga Shqipëria. Dhe ata shikonin çdo element që vinte nga kinemaja shqiptare, si i vetmi imazh i Perëndimit. Dhe ikona për publikun kinez, ishte Roza Anagnosti. Këto janë meritat e burrit më të bukur në botë: Dhimitër Anagnosti”. Në fund, Kumbaro la mënjanë filmin, për të folur për letërsinë e Anagnostit, duke përmendur “Koburen nga Europa”, nga e cila citoi: “Nuk kam frikë të shkojmë në gjyqin e fundit, sepse aty do të flas në gjuhën shqipe”.

Ministrja i dhuroi Anagnostit albumin e fundit të Marubit, një album me thesare të fillimeve të kinemasë. “Ka pjesën e vet para periudhës së diktaturës dhe gjatë saj, ku artisti mbetet artist edhe nën trysninë e ideologjisë dhe propagandës”, – përfundoi Kumbaro. Pirro Milkani, në emër të Forumit të Kineastëve i dhuroi Anagnostit, një pikturë me pamje të Vunoit, realizuar nga Ksenofon Dilo. “Do kisha dëshirë që të kishim ata që na mungojnë, si Viktor Gjika dhe Saim Kokona”, tha Milkani, duke kujtuar se ishte Gjika ai që e lidhi me Anagnostin para 60 vitesh. “Ata ishin në Moskë. Më pas, u njohëm në Tiranë më 1961. Unë, Viktor Gjika dhe Saim Kokona kemi kontribut që e bashkuam këtë çift(thotë duke iu drejtuar Roza dhe Dhimitër Anagnostit). Më lejoni t’ua kujtoj: Roza Xhuxha bëri një rol të vogël me recitim. Por rolin e parë e bëri me tre vetë: me Kristaq Dhamon, Viktor Gjikën dhe Pirro Milkanin. Një ditë të tërë i kushtuam xhirimit të atij episodi te ‘Detyrë e posaçme’, se e dinim si do ndodhte”, tha Milkani, duke nisur të tregojë njohjen e çiftit. Regjisori i njohur tregoi se punuan me diga, me karbon dhe me drita. “Shkoi aq bukur, sa kur u shfaq filmi, ne pamë me bisht të syrit që të pëlqeu(i drejtohet prof.Dhimitrit). ‘Pyete kush është ajo vajzë’ (për Rozën), dhe ne e morëm edhe te filmi ‘Toka jonë’”, rrëfen Milkani, teksa duket sikur ndan me të pranishmit një sekret.

“Kishim hall si do dalë kjo vajzë që kish filluar të të pëlqente tek ai film. Saimi të dërgonte telegrame që të tërbonte Sigurimin e Shtetit që thoshte: rreth këneta të zeza, ndryshoni diafragmën. Sigurimi i Shtetit mendonte se Saim Kokona e Dhimitër Anagnosti ishin agjentë të KGB-së. Një javë iu bllokuan telegramet derisa u zhbllokua enigma, duhej të rregullonte diafragmën derisa të dilte Roza”, tha Milkani, duke kujtuar madje edhe detajet e kohës. “Erdhi Saim Kokona për këto telegramet e më thotë: Taqo me Rozën, u ngatërruan, tha. Kur e pyeta nga e di, më tha se ai i kish marrë pantallonat borxh që të dilte të takonte Rozën”. Doemos, detaje të tilla u pritën me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa Anagnostët buzëqeshnin.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: