Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas qëndrimit të shprehur nga BE për News24 lidhur me një ligjin të miratuar së fundmi nga mazhoranca për portet, duke e lidhur çështjen me procesin e integrimit europian të vendit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se reagimi i Bashkimi Europian konfirmon, sipas saj, shqetësimet e ngritura prej kohësh nga opozita se problemi i Shqipërisë nuk qëndron te mungesa e mundësive për integrim, por te mungesa e vullnetit politik për të përmbushur standardet e kërkuara.

Ajo kritikoi qeverinë se, sipas saj, nuk e ka bërë integrimin prioritet real dhe se miratimi i disa ligjeve bie ndesh me parimet europiane, duke përmendur si shembull edhe ligjin për portet turistike, të cilin e konsideron problematik për konkurrencën e lirë dhe për përputhshmërinë me standardet e BE-së.

Tabaku deklaroi gjithashtu se i është drejtuar komisionerëve të Komisioni Europian me një letër informuese, ku ka ngritur shqetësime për procedurat e ndjekura dhe mënyrën e miratimit të ligjit, të cilin e cilëson si në kundërshtim me parimet europiane.

Sipas saj, vendimmarrjet e fundit tregojnë një kontrast mes diskursit publik për integrimin dhe praktikave ligjore të qeverisë, duke theksuar se procesi i negociatave duhet të bazohet në transparencë dhe respektim të standardeve të BE-së.

“Koha është të ndahet qartë kush është në anën e integrimit dhe kush në anën e propagandës,” u shpreh Tabaku, duke kritikuar qasjen e mazhorancës në raport me procesin e integrimit europian të vendit.

REAGIMI
Reagimi i Bashkimit Europian për ligjin e fundit të miratuar nga mazhoranca socialiste është një konfirmim i qartë i asaj që kemi thënë prej kohësh: Shqipëria nuk vuan nga mungesa e mundësive për integrim, por nga mungesa e vullnetit politik për ta çuar përpara atë.

Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk punon për integrimin. Nuk e ka pasur kurrë si prioritet real. Sepse përtej fasadës së deklaratave dhe konferencave, fshihen vendime konkrete që e minojnë procesin çdo ditë. Ligje si ai për portet turistike nuk janë thjesht veprime nxitim e sipër por janë goditje direkte ndaj konkurrencës së lirë dhe shkelje e hapur e standardeve europiane, duke cenuar kapituj kyç të negociatave, përfshirë edhe Kapitujt 5 dhe 27!

Për këtë arsye, u jam drejtuar Komisionerëve në Bashkimin Europian me një letër informuese të detajuar mbi këtë rast. Kam ngritur shqetësimin për procedurat e ndjekura dhe për mënyrën tinzare se si kjo qeveri vepron: në darkë miraton ligje që bien ndesh me parimet e BE-së, ndërsa në mëngjes flet për integrimin si një objektiv të saj.

Koha është të ndajmë qartë qëndrimet. Të kuptojmë kush qëndron në anën e integrimit të vërtetë dhe kush në anën e propagandës. Sepse sot nuk kemi përballë një qeveri që negocion për Shqipërinë, por një qeveri që negocion me ligjin për interesa të ngushta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb