Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, njëherazi shkrimtarja dhe pedagogia Jonila Godole, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për deklaratën e fortë të inxhinieres Luljeta Bozo se në kohën e Enver Hoxhës ka pasur më shumë të mira se të këqija.

Godole u shpreh se problem është se elitat e asaj kohe, që ndikuan në mbajtjen aq gjatë diktaturës, janë edhe sot në skenën politike. Referuar deklaratës së Bozos, e cila është e para në listën e PS të Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit, Godole tha se “Nëse ti kryeson listën e Tiranës, është një mesazh i fortë që jepet aty dhe mesazhi është se “djalli fshihet te detajet”, dhe ne shohim se këta persona të elitës së atëhershme nuk kanë mësuar asgjë, por sot e glorifikojnë atë sistem, duke folur për investimet që janë bërë në diktaturë”.

“Nuk pati një reflektim, ashtu si duhet të ishte, pati një thellim të problematikave. E kam fjalën për luftën e klasave, që nisi atëherë, dhe në këto 30 vite është një ndarje e shoqërisë në dy grupe të mëdha, ata që ishin dikur mbështetës të regjimit dhe ata që ishin viktima të regjimit. Një tjetër problem i madh që kemi pasur në atë kohë ka qenë roli i elitave në mbajtjen e pushtetit të diktatorit Hoxha. Elitat kanë ndikuar që ky pushtet të qëndronte për një kohë të gjatë. Klientelizmin dhe korrupsionin e kemi pasur që atëherë, nuk erdhi pas 90-ës. Elitat vazhduan edhe në sistemin e ri, kapën pozitat kyçe në politikë, kulturë, akademi, shkencë, etj. Ne kemi mbi 10 vjet, që kemi diskutuar kaq shumë për atë kohë dhe është shumë e vështirë që të çahet me këtë temë, që ta hapim gjerësisht këtë temë për gjithë shoqërinë, sepse gjithmonë do të ngrihet pjesa tjetër që do të thotë ‘mos u merrni më me të shkuarën, por me të ardhmen, sepse e shkuara kishte ca gjëra pozitive’. Kur këto argumente vijnë nga klasa politike, çështja bëhet me komplikuar. Duhet të sqarojmë gjërat e së shkuarës, të reflektojmë, sepse është thuajse e njëjta klasë politke, nuk pati shkëmbim elitash. Ka qenë një regjim represiv, i palegjitimuar, sepse që zgjedhjet e para i bëri pa opozitë, filloi të eliminojë kundërshtarët”, tha Godole.

Më tej, shkrimtarja u shpreh se në Shqipëri kemi vetëm 2-3 persona, që kanë qenë vetë ose kanë pasur familjarë pjesë të atij regjimi, dhe që kanë kërkuar falje.

“Në Shqipëri mund të numërojmë vetëm me gishtat e një dore që kanë pasur ose familjarë, ose kanë qenë vetë pjesë e regjimit të asaj kohe, dhe kanë kërkuar falje. Kemi pasur 1, 2 maksimumi 3 persona që kanë kërkuar falje. Nëse do ishte kërkuar falje që pas viteve 90, do të ishte ndryshe. Ne nuk folëm që në fillim. Mirë atëherë, po sot? Sot është bërë shumë më e vështirë, pasi pjesa më e madhe e atyre që kishin privilegjet e regjimit, vazhdojnë të kenë sot privilegje të tjera, pikërisht se heshtën. Këta janë sot në brezin e dytë e tretë, që vazhdojnë të jenë në pushtet. Në Gjermani secili do ta thoshte hapur që ishte pjesë e atij regjimi dhe as nuk dënohej, sepse u distancuan. Këtë gjë duhet të bënim edhe ne, ose të paktën duhet bërë sot. Por nëse ti kryeson listën e Tiranës, është një mesazh i fortë që jepet aty dhe mesazhi është se “djalli fshihet te detajet”, dhe ne shohim se këta persona të elitës së atëhershme nuk kanë mësuar asgjë, por sot e glorifikojnë atë sistem, duke folur për investimet që janë bërë në diktaturë. Këto po na përsëriten sot, dhe do të përsëriten edhe nesër, sepse ne si shoqëri nuk kemi nxjerrë mësime nga ajo kohë. Kjo është shumë e rrezikshme”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb