Kryeministri Edi Rama në konferencën për mediat deklaroi se korrupsioni mund të luftohet duke ndërtuar sisteme të pakorruptueshme.

Rama tha se Suedia e Gjermania janë më pak të korrupatuara jo se gjermanët apo suedezët janë më pak të korruptuar, por atje ka një sistem më të mirë.

Për të ilustruar deklaratën e tij, Rama iu tha të pranishmëve në konferencë që të çojnë 40 gjermanë në Hipotekën e Vlorës, simbol i korrupsionit në Shqipëri dhe pastaj të mund të shikojnë sjelljen e tyre më pas.

“Nuk janë suedezët më të ndershëm se shqiptarët nga genet por nuk e konceptojnë dot si mund të paguash për të marrë shërbime për shkak se sistemi funksionon plotësisht dhe e bën të pamundur ta imagjinosh.

S’janë gjermanët më të ndershëm se shqiptarët gjenetikisht dhe janë të pakorruptueshëm. Sillini 40 gjermanë ti çoj te Hipoteka e Vlorës dhe ti lëmë 40 ditë dhe flasim prapë pastaj sesi do të jetë situata e tyre shpirtërore dhe raportet e tyre me tundimet e profetit që i rezistoi 40 ditë. Duhet të bëjmë sistemet”, tha Rama.

Rama u shpreh më tej se disa vite më parë, në Shqipëri nuk bëheshe dot mësues apo infermier me meritë, por vetëm nëse ishe me partinë në pushtet apo kishe lidhje farefisnore.

“Dje dhe sot, korrupsioni nuk ka krahasim. Dje, disa vjet më parë nënkuptoj korrupsioni ishte i gjithë-përhapur. Dje nuk bëheshe dot mësues sipas meritës në Shqipëri. Më parë ose duhet të të mbështeste partia në pushtet, apo të paguaje ose të kishe lidhje magjike farefisnore. Sot kjo nuk ndodh ose nëse ndodh është krejt minimale.

Sot që të bëhesh mësues, duhet të konkurrosh në një platformë dixhitale dhe sipas pikëve që merr, ti hyn ose jo. Dje, infermier nuk bëheshe pa pasur partinë, paranë ose krushqinë. Sot infermierët hyjnë në sistem me platformë dixhitale, ku testohen dhe rankohen sipas meritës. Dje nuk hyje në universitet nëse nuk ishe djali i dikujt me mbiemër të njohur”, u shpreh Rama.

Edi Rama nënvizoi se sot po bëhet një revolucion me shërbimet  ndaj qytetarëve, të cilat janë online.

“Sot po bëhet revolucion për shërbimet dixhitale. Ne së shpejti mund të kemi nivel të shërbimeve online në nivelin 95 për qind. Janë kursyer shërbimet fizike. Mbi 3 milionë dokumente janë dhënë online në Shqipëri. Nuk janë gjermanët më të ndershëm se shqiptarët gjenetikisht, sillini 40 gjermanë t’i çojmë tek Hipoteka e Vlorës. Duhet sistem”, vlerësoi Rama.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb