Kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur se Reforma në Drejtësi do të vijojë pavarësisht kostove.

Ai u shpreh se pa Reformën në drejtësi vendi do të ishte si Afganistani apo Iraku, pasi është sistemi ai që përcakton sjelljen e individit.

“Jam besimplotë se ky proces do të shkojë përpara ashtu siç duhet me të gjitha dhimbjet dhe kostot e veta. Jam më i vendosur se asnjëherë bashkë me shumicën qeverisëse që të mos lejojmë të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të lëkundet ajo çka është ndërtuar, në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie”, tha ai.

Pjesë nga fjala e Ramës:
Po risjell një shembull, kur diskutohej vendosja e rripit të sigurimit në Shqipëri. Ishte diçka e vështirë për t’u perceptuar nga shqiptarët. Kishte një fakt që e dallonte shqiptarin këtu me shqiptarin në Gjermani. Asnjë shqiptar në Gjermani nuk e konceptonte dot që të ndizte makinën pa vendosur rripin. Por shumë pak shqiptarë e konceptonin që të vinin nga Shqipëria këtu dhe të mbanin rripin. Dhe një ditë një ambasador i Gjermanisë më thotë; çudi e madhe, ju shqiptarët as këtë gjë nuk e mësoni shpejt. I thash dëgjo, ty do të të vijë keq por unë kam parë punonjës të ambasadës gjermane pa rrip sigurimi në Shqipëri. Sepse nuk është njeriu, nuk është kombësia, as historia prej nga një popull vjen që përcakton sjelljen e individit në raport me ligjin, është sistemi. Gjermanët në Shqipëri i gëzoheshin mosvendosjes së rripit të sigurisë, shqiptarët në Gjermani as e imagjinonin të mos vendosnin rripin.
Ky është hendeku që duhet të mbushim me reformën në drejtësi dhe ndërtimin e institucioneve në tërësi, krijimin e një sistemi që e bën pastaj të pamundur arbitraritetin i cili edhe sot që flasim është i kudondodhur në sistemin tonë shtetëror, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë dhe e bën të pamundur krijimin e niveleve të ndryshme në raport me kërkesën e ligjit. Ne jemi në këtë sfidë plotësisht të vendosur që të mos lejojmë të ketë kthim pas. Do ta mbajmë të pakthyeshëm këtë proces. Dhe në këtë pikë ka diçka që është garanci shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, dy fjalë, Bashkimi Europian. Nëse BE nuk do të ishte aty, nëse shqiptarët nuk do ta donin aq shumë BE-në, ne nuk do të arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie dhe të vendosnim barazinë para ligjit. Ose do të arrinim po aq sa kanë arritur afganët apo irakenët pas bombave apo pas përpjekjeve utopike të perëndimit, NATO-s për të çuar demokracinë në ato vende.
Dhe ndryshimi mes nesh dhe atyre është që ne kemi BE-në, ata nuk e kanë BE-në. BE është burimi më i madh dhe i vetëm në botë për të mësuar si ndërtohen institucionet dhe i gjithë procesi i integrimit është një proces transferimi i dijes nga Brukseli këtu në Tiranë. Ky transferim dije është një bekim, sepse atë dije nuk e krijon dot një vend me forcat e veta kur paguan çmimin e një historie pa shtet dhe pa institucione deri shumë vonë. Jam besimplotë se ky proces do të shkojë përpara ashtu siç duhet me të gjitha dhimbjet dhe kostot e veta. Jam më i vendosur se asnjëherë bashkë me shumicën qeverisëse që të mos lejojmë të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të lëkundet ajo çka është ndërtuar, në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb