Në intervistën për News 24 Ben Blushi thotë se kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian do të jetë një nga portat hyrëse të emigrantëve. 

Sipas tij si në çdo vend europian ku ata kanë shkuar sot, edhe në Shqipëri do të integrohen, do marrin pozicione pune dhe pak pushtet politik. 

-Keni 3 hebrenj që janë mjaft të rëndësishëm për mënyrën se si zhvillohet komploti. Dhe të tre kanë lidhje të ndryshme për Shqipërinë, Simon Shuter, Lavi Elton dhe Leonid Trocki. Simon Shuteri, një prej tyre është një personazh që ju e rimerrni nga “Kandidati”, kemi edhe Lavi Elton që është pasardhës i Leo Elton, i një hebreu që ka propozuar Shqipërinë si vendin ku mund të vendosej shteti i Izraelit, në vitet 1930. E bëni shumë aktual librin duke përfshirë në një farë mënyre Ukrainën, konfliktin Izrael –Palestinë dhe konfliktin në Kosovë.

-Kam në libër në një kuptim të tre konfliktet e mëdha që ka sot bota. Konflikti në Ukrainë, konflikti që ndodhi në tetor në Izrael, dhe konflikti që ndodhi në Kosovë. Ky libër është shkruar në shkurt e mars. Ukrainë ishte sigurisht një konflikt i nisur, por Banjksa në Kosovë dhe Izraeli nuk kishin nisur. Të tre çifutët që unë kam si personazhe janë njerëzit që bëjnë komplotin në fakt, për arsye të ndryshme dhe të tre flasin shumë për raportet mes Izraelit e botës, që në fakt është sot tema më e madhe në botë. Njëri prej tyre është sionist, është një prej atyre që luftojnë -dhe kjo është akuza që ka ndaj Izraelit sot- për të pasur një shtet të izraelitëve. Një prej tyre, Elton është pinjoll i një sionisti, dhe është fakt historik që më 1935 shumë hebrenj të njohur, piktorë, akademikë a shkrimtarë u shpërndanë nëpër botë para luftës së dytë botërore për të gjetur një territor ku do të vendosej shteti i hebrenjve. Disa shkuan në Afrikë, disa në Alaske, gjetën ishuj të pabanuar, në Madagaskar apo Uganda, e njëri prej tyre erdhi në Shqipëri. Ai ishte gazetar britanik, me emrin Leon Elton. Ai vjen në Shqipëri dhe studion Shqipërinë e vitit 1935 dhe gjen një vend të përshtatshëm për të themeluar një shtet hebre. Ai ka shkruar një artikull të gjatë, pse Shqipëria. Këtë propozim ia bëri kongresit hebre të kohës, ata nuk e morën parasysh dhe më 1948 injoruan Shqipërinë dhe shkuan në Palestinë, aty ku sot ka konflikt. Unë kthehem mbrapsht dhe them imagjinoni sikur Izraeli të ishte vendosur në Shqipëri. Sipas Eltonit ishte i përshtatshëm se ishte vend afër Europës, ka det dhe është mes italianëve dhe grekëve. Nipin e tij, siç mora nipin e Elon Trockit, e kam marrë si personazh dhe ky është sponsori i komplotit. Cili është Komploti me pak fjalë? Një konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve, të cilët në vitin 2044 mund të jenë rreth 200 mijë-300 mijë në Shqipëri sipas romanit. Afganët kanë marrë pushtet politik dhe njëri prej tyre bëhet ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë dhe i vë vetes një mision, duke kërkuar të çlirojë Kosovën nga serbët, për shkak të avancimit të Rusisë, serbët në libër kanë pushtuar veriun e Kosovës, siç po tentojnë ta bëjnë. Ndërsa afganët e Shqiptarët janë në këtë konflikt, tre çifutët për arsye të ndryshme hyjnë në mes dhe krijojnë një komplot. Komploti përfundon në një mënyrë që s’mund ta them.

-Ka një shtet tjetër që është një nënlinjë e romanit. Janë SHBA-të me rolin e tyre në shumë luftra a konflikte por edhe me një lloj “administrimi” që i bëjnë Shqipërisë dhe vendeve si Shqipëria. Linja e SHBA-së, sidomos në sponsorizimin e Duranit, afganit të Shëngjinit, deri në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, duket një linjë i përshtatet ose i përqaset edhe realiteteve shqiptare ku shpesh SHBA vendos në mos drejtpërdrejtë, e bën përmes disa vendimeve për personazhe të caktuara.

– Nëse shohim një trend europian, sipast të cilit të huajt emigrantët, refugjatët e luftës dhe bota ka gjithnjë konflikte viktimat e të cilëve përfundojnë kryesisht në Europë, duke u europianizuar ne do të jemi porta e parë e hyrjes së emigrantëve. Nëse një pjesë e tyre rrinë këtu, kur ne të jemi vend më europian se ç’jemi, e të kemi një nivel jetesë më të mirë, pse e përjashtoni që ata do të integrohen në vendin tonë, do të marrin punë, do jenë shoferë taksie, kamarier, që do kenë bizneset e tyre, do martohen me shqiptarë, dhe duke u organizuar do të marrin edhe pak pushtet politik. Ju e shihni që në Angli, kryeministri është indian, kreu i bashkisë është pakistanez. Ky trend mund të vijë edhe në Shqipëri, se ne nuk jemi vend i izoluar. Kemi qenë dhe më mirë që jemi të hapur. Jetojmë shumë më mirë. Nëse kjo ndodh, sic ndodh në librin tim, një prej tyre bëhet ministër i mbrojtjes, dhe kur kjo ndodh, bëhet komploti i madh për të bashkuar Shqipërinë me Kosovën, po për çfarë? Për të krijuar një Afganistan të madh. Pra Shqipëria bëhet një Afganistan në mes të Europës. Kjo është pjesa e librit. Sa i takon rolit të SHBA-së, nëse bota ka aq shumë koflikte sot, në Kosovë, Ukrainë, Armeni, Azerbaxhan, po dhe në Palestinë, ka dy pole që i tërheqin këto forca. Cilat janë polet? Rusia e Amerika. Këto janë dy superfuqitë që kanë dominuar shekullin e 20 për shkak të fuqive ushtarake e ekonomike, për shkak të ndikimit kulturor që kanë në gjithë botën e pasurivë të mëdha që kanë ose kontrollojnë pasuritë më të mëdha, naftën, ujin, energjinë. Kanë fituar luftëra të mëdha si Lufta e dyët botërore ku mundën nazizmin. Krijohen konflikte se njëra tërheq një vend si në rastin e Kosovës, ku Rusia tërheq Serbinë, Amerika Kosovën e shqiptarët. Për sa kohë që këto janë në përplasje, bota do të vazhdojë te ketë konflikte. Ato nuk përplasen me njëra tjetrën por futen shtet e vogla në konflikt. Ne për fat jemi nën influencën e Amerikës. Kemi qenë dikur në influencën e rusëve, sot jemi në atë të SHBA dhe për këtë shkak ka ndikim të madh në vendimet tona, sidomos në ato gjeopolitike e gjeostrategjike. Ky ballafaqim superfuqish që ndodh në territore të vogla si Shqipëria, është në libër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb