Aktivisti Bledar Meti, i cili ka udhëtuar nga Londra drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestave masive kundër qeverisë, ka qenë i ftuar në studion e News24, ku ka folur për frymën e diasporës dhe pengesat me të cilat janë përballur gjatë rrugëtimit.
Meti u shpreh se diaspora shqiptare është plotësisht e vetëdijshme për situatën politike në vend gjatë këtyre 35 viteve, duke theksuar se klasa politike aktuale po ndjen presionin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm mbi situatën dhe si është bërë politika në këto 35 vite. Ky establishment po dridhet nga zëri i diasporës. Flamujt shqiptarë i kemi mbajtur kudo. U thamë në kufi kur kemi kaluar jashtë se po ikim të rrëzojmë autokratin Edi Rama. Rojet e kufirit na kanë thënë ‘paçi fat’. E njëjta ndodhi edhe në Belgjikë. Kur mbetëm në trafik, 5 policë na përgëzuan që po kthehemi”, deklaroi aktivisti.
Më tej, ai denoncoi sjelljen e autoriteteve shqiptare në pikat kufitare dhe gjobat e vendosura ndaj emigrantëve, duke e krahasuar situatën me vendet fqinje.
“Kur kemi ardhur në Shqipëri u përballëm me masa më të forta se në Serbi apo Mal të Zi. Jemi përballur me gjoba. Nuk është kostoja problemi, por modeli i vendosjes së gjobave. Vendosen gjoba gjasmë kemi bllokuar trafikun”, tha ai.
