Operatori i termocentralit bërthamor të shkatërruar nga cunami Fukushima Daiichi thotë se e ka filluar procesin e zbrazjes së sasisë së parë të ujit radioaktiv të trajtuar në Oqeanin Paqësor. Ky hap ka shkaktuar shumë kritika drejt Japonisë, që është përballur gjatë me stokun në rritje të ujit radioaktiv.

Në një video të transmetuar drejtpërdrejtë nga një dhomë kontrolli më 24 gusht, operatori Tokyo Electric Power Company Holdings shfaqi një anëtar të stafit duke ndezur një pompë uji deti, duke shënuar fillimin e projektit kontrovers që pritet të zgjasë për dekada.

Disa grupe në Kinë dhe Korenë e Jugut kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke e kthyer këtë proces në një çështje politike dhe diplomatike.

Tokio kishte njoftuar një ditë më parë se operacioni i zbrazjes së ujërave në Paqësor do të fillonte më 24 gusht. Ky njoftim shkaktoi reagim të ashpër nga Kina dhe kufizime të pjesshme të importit të ushqimeve të detit nga Japonia në Hong Kong dhe Makau.

Ndërkohë, edhe Kina ka pezulluar importet e të gjitha produkteve ujore me origjinë nga Japonia, thanë autoritetet doganore në një deklaratë më 24 gusht.

“Ne do të vazhdojmë t’i kushtojmë vëmendje të veçantë situatës së zbrazjes të ujit të kontaminuar bërthamor në det në Japoni dhe do të vendosim masat përkatëse rregullatore”, thuhet në deklaratë.

Operatori i uzinës, TEPCO, tha më 22 gusht se kishte holluar një metër kub ujëra të zeza me rreth 1.200 metra kub ujë deti dhe e kishte kaluar në një tubacion prej ku mund të zbrazet në Paqësor.

Centrali i energjisë bërthamore Fukushima-Daiichi u rrëzua nga një tërmet masiv dhe cunami që vranë rreth 18.000 njerëz në mars të vitit 2011, kur një tre nga reaktorët e centralit u shkri.

TEPCO ka mbledhur 1.34 milionë metra kub ujë që nga atëherë, që u përdorën për t’i ftohur reaktorët ende shumë radioaktivë.

Një sistem i veçantë ka filtruar të gjitha nuklidet radioaktive përveç tritiumit, nivelet e të cilit do të jenë brenda kufijve të sigurt, sipas TEPCO-s.

Zbrazja e këtyre ujërave në Paqësor është miratuar nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, që tha se do të ketë personel në terren më 24 gusht për ta mbikëqyrur procesin, i cili do të marrë disa dekada kohë për t’u përfunduar.

Kina e kishte akuzuar edhe në të kaluarën Japoninë për trajtimin e oqeanit si një “kanalizim”, duke ndaluar importet e ushqimeve nga dhjetë prej 47 prefekturave të Japonisë edhe para këtij procesi.

Analistët thanë se përderisa Kina mund të ketë shqetësime të vërteta për sigurinë, reagimi i saj i ashpër është gjithashtu të paktën pjesërisht i motivuar nga rivaliteti ekonomik dhe marrëdhëniet e ftohta me Japoninë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb