Pedagogia Jonila Godole ka reaguar lidhur me protestat masive që po mbahen prej 44 ditësh, duke analizuar mënyrën se si një pjesë e opinionit publik kërkon vazhdimisht një faktor të fshehur pas zhvillimeve shoqërore.
Në shkrimin e saj me titull “Dora e armikut”, Godole shprehet se që prej nisjes së protestave ka dëgjuar shpesh të njëjtën pyetje nga qytetarë të profileve të ndryshme: “Kush fshihet pas protestës?”
Ajo thekson se shumë njerëz kërkojnë një organizator të padukshëm pas çdo lëvizjeje qytetare, duke përmendur versione të ndryshme që ia atribuojnë protestën faktorëve politikë vendas apo shërbimeve të huaja.
“Askush nuk sheh thjesht protestën, të gjithë shohin dikë të fshehur pas saj”, shkruan Godole, duke ngritur pyetjen pse teoritë konspirative shpesh besohen më lehtë sesa një shpjegim racional i një organizimi qytetar.
REAGIMI
DORA E ARMIKUT
Që kur nisën protestat e Flamingove, më ka rastisur të flas me shumë njerëz: punëtorë, kamarierë, shitës, tregtarë, biznesmenë, pedagogë, shkrimtarë, gazetarë, policë, politikanë. Pothuajse secili prej tyre, herët apo vonë, ka bërë të njëjtën pyetje: “Kush fshihet pas protestës?“
Disa thonë që e ka kurdisur vetë kryeministri. Të tjerë flasin për shërbime të huaja. Ca thonë BE-ja, ca Amerika, dikush Soros, Rusia, Greqia, Irani. Askush nuk sheh thjesht protestën, të gjithë shohin dikë të fshehur pas saj.
Është e habitshme sesi kaq pak njerëz janë të gatshëm të pranojnë se mijëra qytetarë mund të organizohen pa pasur nevojë për një dirigjent të padukshëm. Nuk e besojnë as kolegët gazetarë që raportojnë live nga protesta. Madje as vetë koordinatorët e saj, të cilët pas më shumë se 40 ditësh dyshojnë se drejtimin s’e kanë ata që dalin çdo mbrëmje në rrugë, por opozita, shërbimet e huaja apo vetë qeveria.
Pse teoritë e konspiracionit besohen më kollaj se e vërteta që mund të vëzhgohet në mënyrë racionale?
Përgjigjja më e shpejtë do të ishte se Shqipëria post-komuniste e ka trashëguar këtë mënyrë të menduari si memorie shoqërore. Për dyzet e pesë vjet regjimi funksionoi tërësisht mbi ndarjet: armik/mik, besnik/spiun, ne/ata. Pas 1990-ës këto mënyra vëzhgimi mbijetuan, edhe pse sistemi ra. Prandaj, pas çdo ngjarjeje ende vazhdon të kërkohet „dora e armikut“.
Fakti që shqiptarët e kanë stërvitur „muskulin“ e konspiracionit prej dekadash, gati për ta përdorur në çdo kohë, është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se njerëzit, kudo, priren nga informacioni i thjeshtuar. Sa më komplekse të jetë bota, sa më shumë autorë të ketë një ngjarje, aq më bindëse duket ideja se dikush e ka bërë me qëllim. Një protestë spontane është e vështirë për t’u kuptuar, kurse një komplot më i lehtë, sepse i jep ngjarjes një fytyrë dhe një qëllim.
Paradoksi është se teoritë e konspiracionit nuk i bashkon bindja se kush është fajtori, por bindja se asgjë me rëndësi nuk ndodh vetvetiu. Pas çdo organizimi, pas çdo proteste duhet të ketë një regjisor, një dorë të fshehtë që lëviz fijet.
Ndoshta kjo është një nga trashëgimitë më të qëndrueshme të kulturës sonë politike: paaftësia për ta shpjeguar botën ndryshe, përveçse si një varg i pafund komplotesh.
J.Godole, 13.7.2026
