Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas dorëheqjes nga detyra e Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj. Përmes një postimi në Facebook Haradinaj-Stublla tha se momenti më krenar i bashkëpunimit ndërmjet tij ishte konfirmimi i qëndrimit të përbashkët të dy shteteve për mos-negocimin e territoreve të Kosovës.

Mes të tjerash ajo ka thënë se me dorëheqjen e tij, Kosova dhe shqiptarët do ndjejnë mungesën e një përkrahje të fortë institucionale nga qeveria aktuale e Shqipërisë.

Postimi i saj:

PËR GENTIN E KOSOVËS
Që nga dita e parë në detyrën time si Ministre e Jashtme, me Gentin e Kosovës dhe Kryediplomatin e Shqipërisë, kemi ndërtuar, ruajtur, dhe kultivuar raporte të shëndosha e të forta bashkëpunimi ndër-shtetërore e ndër-shqiptare, duke ndihmuar njëri-tjetrin, dhe duke u angazhuar bashkë dhe sinqertë për fuqizimin e interesave shqiptare në rajon e më gjerë.
Gjithmonë kam qenë e bindur në premisën se aktiviteti politik i përbashkët për Kosovën dhe Shqipërinë – o funksionon në raport ekzkluziviteti – o në atë komplementar, por assesi dhe asnjëherë në raport kompetitiv paralel siç kanë tentuar e tentojnë vazhdimisht disa!
Tashmë fakt i mirënjohur se Kosova e Shqipëria nëse nuk mund të faktorizohen bashkë, shanset për t’u faktorizuar ndaras mbi kurriz të njëra tjetrës janë minimale. Dhe këtu, mendoj se unë e Genti ia dolëm, duke mësuar shumë nga dështimi i rolit paternalist në tentativë i disave mbi Kosovën!
Padyshim se momenti më krenar i bashkëpunimit tonë të shkurtër por intensiv e domethënës, për mua ishte konferenca e përbashkët për shtyp e datës 4 dhjetor në Prishtinë, kur bashkë me Gentin konfirmuam qëndrimin e përbashkët se integriteti territorial dhe kufijtë ekzistues të Republikës së Kosovës janë çështje të panegociueshme me Serbinë.
Me dorëheqjen e Gentit sot, Kosova dhe shqiptarët në rajon do ta ndjejnë mungesën e një krahu të fortë perkrahjeje institucionale në Qeverinë aktuale të Shqipërisë. Por, kudo të na shpiejnë rrethanat politike nesër, me Gentin e Kosovës dhe me Gentin e Shqipërisë, gjithmonë e në çdo kapacitet, do të punojmë të përbashkuar rreth një qëllimi.

FALEMINDERIT GENT
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb