U mbyll dita e 31 e revoltës qyytetare ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë së tij.

Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes, protesta u shndërrua në një maratonë 12-orëshe, e cila nuk pati në shënjestër vetëm qeverinë, por edhe opozitën.

Dita nisi para Kuvendit të Shqipërisë, ku u regjistruan përplasjet më të forta me policinë. Disa protestues u shoqëruan në komisariat, ndërsa pamjet e qytetarëve që tërhiqeshin zvarrë u bënë një nga momentet më të komentuara të protestës.

Pas incidenteve, turma u zhvendos përpara Komisariatit nr. 1, ku priti lirimin e të shoqëruarve. Me daljen e tyre, protestuesit i pritën me duartrokitje dhe brohoritje, duke e cilësuar reagimin e policisë si një përpjekje për të frikësuar lëvizjen.

Në orët e pasdites, protesta u rikthye para Kryeministrisë, ku organizatorët dhe qytetarët mbajtën fjalime të ashpra.

Pas më shumë se dy orësh fjalime, qytetarët nisën marshimin e përnatshëm. Ndalesa e parë ishte sërish përpara Kuvendit, aty ku paradite ishin regjistruar incidentet. Për disa minuta, turma brohoriti “Turp, turp!” dhe

“Policia e krimit!”, duke iu referuar ndërhyrjes së forcave të rendit.
Marshimi vijoi më pas pranë selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan thirrjet “PS-PD, këlysha komunistësh”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria e rinisë, jo e partisë”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe “Opozitë e shtirur”.

Mbrëmja u mbyll aty ku nisi tubimi i pasdites, para Kryeministrisë. Me flamuj kuqezi në duar dhe thirrjet “Rama ik”, “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re” dhe “Ju erdhi fundi”, protestuesit përfunduan një tjetër ditë mobilizimi.

Organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni i radhës do të zhvillohet nesër në orën 10:00 para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kanë njoftuar se do të dorëzojnë librin “The Albanian Files”, të firmosur nga protestuesit, të cilin e konsiderojnë si provë për kallëzimet që synojnë të depozitojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb