Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka në një dalje për mediat tha se  dorëzimi i Klement Balilit nuk është një hap i madh siç e konsideroi kryeministri, por sipas tij, ky është dorëzim  i kontrolluar dhe në pakt me Ramën.

Ai shtoi se shefi i qeverisë po ndjek të njëjtën skemë siç ndodhi me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. Paloka tha mes ë tjerash se Balili ka jetuar në Sarandë dhe propaganda që i janë konfiskuar pasuritë janë farsë e kësaj qeverie.

“Shoqërimi i Klement Balilit nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i kontrolluar në pakt me Edi Ramën. Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë si me Saimir Tahirin, Dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor. Për ish-ministrin e drogës, që la mandatin e ministrit u la në shtëpi, për t’iu përgatitur lirimi.

Edi Rama kontrollon hetimin e kësaj çështje. Gjatë gjithë kësaj kohë Balili ka patur mbështetjen e Ramës,. Ai ka jetuar në Sarandë. Kompania   tij ka marrë 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është farsë. Propaganda nuk do ta ndihmojë që ta shesë këtë si sukses. Qeveria është në duart e një njeriu të vetëm”, tha  ai.

Deklarata e plotë:

Shoqërimi i Klement Balilit në qeli nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i kontrolluar dhe i menaxhuar i Eskobarit të Ballkanit në pakt me Edi Ramën.

Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge.

Rasti i parë, kur kjo do të provohet, si çdo denoncim tjetër i Partisë Demokratike për lidhjet e Edi Ramës me krimin, do të jetë rasti i Saimir Tahirit.

Për ish ministrin e drogës, i cili e la mandatin e deputetit dhe u vu në mënyrë të kontrolluar në arrest shtëpie, sa për të gënjyer partnerët, po përgatitët lirimi nga akuza kryesore për bashkëpunim në trafikun e drogës. Shpërdorimi i detyrës do të jetë akuza më e lehtë për të, sepse Edi Rama kontrollon hetimin.

Skema “Tahiri” do të funskionojë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Klement Balili. Prandaj Drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi 5 vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës.

• Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës

• Megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës, shumicën e tyre pa garë.

• Pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është vetëm fasadë dhe se Klement Balili e menaxhon në të vërtetë resortin, me të cilin mban peng Edi Ramën.

Propaganda nuk do ta ndihmojë Edi Ramën të shesë si sukses skemën e dorëzimit të kontrolluar të Klement Balilit për ta mbrojtur atë, njësoj si Saimir Tahirin.

Ky nuk është rasti për të duartrokitur Policinë, por për të kuptuar se Policia, qeveria dhe drejtësia janë, për fat të keq, në duart e një njeriu të vetëm, që ka lidhur fatin e pushtetin të tij me fatin e krimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb