Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua këtë të diel ceremonia solemne e dorëzimit të Arkimandritit Ignat (Todrin) në detyrën e Episkopit të Amantias. Liturgjia Hyjnore Sinodike u drejtua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani, në bashkëkryesim me anëtarët e Sinodit të Shenjtë.

Në këtë akt të rëndësishëm kishtar morën pjesë Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Andoni; Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanaili; Mitropoliti i Beratit, Asti; dhe Mitropoliti i Korçës, Anastasi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në fjalën e tij të parë si Episkop, Imzot Ignati shprehu mirënjohje të thellë ndaj Perëndisë, duke theksuar se pranimi i kësaj detyre të shenjtë në një moshë të re është një përgjegjësi e madhe dhe një thirrje për përulësi e përkushtim. Ai kërkoi lutjet e klerit dhe besimtarëve, duke nënvizuar se gjithçka është dhuratë nga Zoti.

Episkopi i ri kujtoi me respekt figura të rëndësishme që e kanë frymëzuar në rrugëtimin e tij shpirtëror, veçanërisht Kryepiskopin e ndjerë Anastas, të cilin e cilësoi si “Apostullin e kohëve moderne”, si dhe Mitropolitin e ndjerë Ignati, që e konsideroi atin e tij shpirtëror.

Nga ana e tij, Kryepiskopi Joan theksoi se shërbesa episkopale kërkon virtyte thelbësore si përulësia, durimi dhe dashuria, duke e cilësuar Imzot Ignatin si një shembull të gjallë të këtyre vlerave përmes shërbesës së tij të deritanishme.

Ceremonia u përmbyll mes thirrjeve “I Denjë!” nga besimtarët e pranishëm.

Jetëshkrim i shkurtër

Imzot Ignati lindi më 23 shkurt 1978 në Gradishtë të Divjakës. Ai kreu studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit dhe për shumë vite shërbeu si katekist dhe predikues në zonën e Beratit, Vlorës dhe Kaninës.

Në vitin 2017 mori rrugën monastike, ndërsa në vitin 2024 u dorëzua Hieromonak. Në qershor 2025 mori titullin Arkimandrit nga Kryepiskopi Joan. Gjatë shërbesës së tij ka mbajtur poste të rëndësishme, përfshirë atë të Kryesekretarit të Sinodit të Shenjtë dhe përgjegjës i institucioneve kryesore teologjike dhe kishtare në vend.

Zgjedhja e tij si Episkop i Amantias u bë me vota unanime nga Sinodi i Shenjtë më 28 prill 2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb