TIRANË – Deputeti Tom Doshi deklaron se disponon një video prej 37 minutash në të cilën “rrëfehet me detaje, historia e ndjekjes sime prej disa muajsh nga kriminelet e paguar nga Ilir Meta.”

Duke mbështetur deklaratat e Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së për dekriminalizimin e Kuvendit, pavarësisht përmendjes së emrit të tij, Doshi ka reaguar menjëhërë në Fb: “Jam me gjithë shpirt për dekriminalizimin e Kuvendit, duke filluar nga Kryetari i Kuvendit; jam i gatshëm të vë në dospozicion të ambasadave, që nesër, një video prej 37 minutash, ku rrëfehet me detaje historia e ndjekjes sime prej disa muajsh nga kriminelët e paguar nga Ilir Meta. Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty,” – shkruan ai.

“I vdekur nuk mund të reagoj, – ka shpjeguar më tej. – Para pak ditësh është tentuar të vritet denoncuesi i skemës së vrasjes. – Dhe Doshi e ka mbyllur mesazhin me një propozim për Prokurorinë dhe hetimin: “Njëherë Ilir Meta i shpëtoi drejtësisë me akuzen e korrupsionit. Shpresoj këtë herë drejtësia të bëjë detyren dhe garancia që kjo punë do funksionojë është që hetues profesionistë amerikanë dhe europianë të jenë pjesë e grupit të hetimit.”

MESAZHI I PLOTË I DEPUTETIT TOM DOSHI NË FB

“Sapo më njoftuan për një deklaratë të bërë nga Ambasada Amerikane dhe Tiranë dhe Misioni i Bashkimit Europian në Tiranë. Nuk dua të merrem me brendësinë e deklaratave për emrin tim, por dua të deklaroj me forcë se jam me gjithë shpirt për dekriminalizimin e Kuvendit, duke filluar nga Kryetari i Kuvendit deri dhe tek çdo deputet i thjeshtë.

Tom Doshi nuk është i përfshirë kurrë në asnjë akt kriminal. Nuk kam përfituar kurrë padrejtësisht dhe kurrën e kurrës nuk jam përfshirë në akte kriminale kundrejt pronës apo individit. Kam arritur çdo gjë në jetën time në bazë të përpjekjes time të ndershme.

Nuk kam synuar asnjëherë në jetën time të bëj shantazh as ndaj Kryeministrit dhe as ndonje figurë tjetër publike në vend. Kam folur me ton të ashpër, ditët e fundit edhe ndaj Kryeministrit për të shprehur revoltën time personale, të familjes time dhe miqve të shumtë, sepse kam parë bashkëfajësi dhe mosveprim të Kryeministrit në krimin e planifikuar kundër meje dhe kolegut Fufi. Çfarë duhet të bëja?

Kam mbi 5 muaj që pres të reagojë shteti ndaj fakteve që unë i kam paraqitur deri në detaje për vrasjen time. I vdekur nuk mund të reagoj. Kam reaguar tani, sepse nuk mund të prisja më gjatë. Para pak ditësh është tentuar të vritet denoncuesi i skemës së vrasjes. Nuk mund të prisja më gjatë, sepse njerëzit rrezikojnë të vriten nga indiferenca e shtetit dhe ortakeria e Kryeministrit me Kryetarin e Kuvendit.

Kush nuk do të ishte i revoltuar në kushtet që është i rrezikuar të vritet, në kushtet që faktet dhe dëshmitarët po tentohen të vriten? Jam në të drejtën time të reagoj për jetën. Ashtu siç jam në të drejtën time të denoncoj vrasësit me pushtet, të cilët me marrëveshje vendosin të injorojnë detyrën e tyre, të injorojnë ligjin dhe të fshehin një krim makabër.

Po deklaroj edhe njëherë me përgjegjësinë e ligjvënësit se kam paraqitur fakte të pamohueshme për krimin ndaj meje dhe kolegut tim. Le të pyesin Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për deklaraten që ka bërë personi i paguar në zyrën e tyre. Le të informohen ambasadat tek Ministri për këtë fakt. Jam i gatshëm të vë në dospozicion të ambasadave, që nesër, një video prej 37 minutash, ku rrëfehet me detaje historia e ndjekjes sime prej disa muajsh nga kriminelët e paguar nga Ilir Meta. Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty.

Do të kërkoja me zemër në dorë që Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian të sjellin hetues profesionistë, të gjykojnë së bashku me Prokurorinë Shqiptare këto akuza. Une kam interes të zbardhet e vërteta. Kam interes të mos ketë kriminelë në Parlament. Njëherë Ilir Meta i shpëtoi drejtësisë me akuzen e korrupsionit. Shpresoj këtë herë drejtësia të bëjë detyren dhe garancia që kjo punë do funksionojë është që hetues profesionistë amerikanë dhe europianë të jenë pjesë e grupit të hetimit.

Tom Doshi nuk mund të vazhdonte një miqësi me Edi Ramën kur ai ka bërë marrëveshje me krimin për të mbajtur të pacenuar karrigen e tij të pushtetit. Votat e një porositësi krimesh nuk duhet të mbajnë PS në pushtet. Shantazh i vërtetë është ai që bën Meta. Nëse nuk me mbroni, ju çoj në opozitë, i thotë ai Ramës. Kjo aleancë duhet të denoncohet deri në fund. Me krimin duhet të ndahen t gjithe, mbi te gjitha politikanet. Ditet e fundit Edi Rama me ka bere oferte qe ta fsheh kete krim duke me dhene garanci se qeveria dhe partia do vazhdojne te me mbeshtesin dhe se nuk do kete masa ndaj meje. Une nuk bej pazare me askend per jeten time dhe te femijeve te mi. Krimi duhet te hetohet dhe denohet, ashtu sic ambasadoret e nderuar shprehen ne deklaratën e tyre. Jam i gatshem te bashkepunoj deri ne fund me drejtesine,”- përfundon mesazhi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb